Rrëfimi tronditës i Wayne Rooneyt: Isha në kulmin e karrierës, por mendova t’i jepja fund jetës
Wayne Rooney ka rrëfyer një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, duke zbuluar se gjatë kohës kur ishte futbollist i Manchester Unitedit kishte përjetuar probleme të rënda të shëndetit mendor dhe kishte menduar edhe t'i jepte fund jetës.
Ish-kapiteni i Anglisë, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester Unitedit, ka folur hapur për këtë periudhë në podcastin “Life At The Midpoint” me Gabby Logan.
Pavarësisht suksesit të madh në fushën e futbollit, jeta e tij jashtë saj ishte krejtësisht ndryshe. Rooney tregoi se në atë kohë sapo ishte martuar dhe ishte bërë baba për herë të parë me djalin e tij, Kai, por po kalonte një periudhë shumë të rëndë emocionalisht.
Ai zbuloi se kishte kaluar deri në dy ditë duke konsumuar alkool në shtëpi dhe përpiqej të izolohej, në mënyrë që djali i tij të mos e shihte në atë gjendje.
Ish-sulmuesi anglez shmangte daljet në vende publike dhe ndihej i qetë vetëm kur ishte në fushën e futbollit.
“Kur e shikoj tani, mund të them se kam qenë egoist, por e dija që po kaloja diçka me të cilën po e kisha shumë të vështirë të përballesha. Nuk doja që Kai të më shihte në atë gjendje, prandaj edhe fshihesha”, rrëfeu Rooney.
Ai më pas bëri zbulimin më tronditës, duke treguar se kishte arritur deri në pikën kur kishte menduar t'i jepte fund jetës.
“Arrita në një pikë ku mendoja për vetëvrasje. Thjesht nuk doje të ishe pranë askujt. Nuk doja të shihja njerëz në rrugë, nuk doja të hyja në dyqane. Në një fushë futbolli ndihesha gjithmonë rehat, por me gjithçka tjetër e kisha shumë të vështirë”, deklaroi ai.
Rooney pranoi se e kishte të vështirë të pranonte problemet e tij, pasi nuk dëshironte të shfaqej i dobët para të tjerëve.
“Nuk dëshiron të tregosh dobësi, prandaj përpiqesh ta fshehësh atë që po kalon. Edhe pse e dija në çfarë gjendjeje isha, ishte e vështirë ta pranoja, sepse të krijohet ndjesia sikur je më pak burrë kur përballesh me gjëra të tilla”, shtoi ish-futbollisti.
Ai tregoi gjithashtu se kishte kërkuar ndihmën e një terapisti për të kuptuar se çfarë po ndodhte me të.
“Kur e shikoj tani, ndoshta isha në kulmin e karrierës sime. Sapo isha bërë baba dhe sapo isha martuar. Duhej të ishte periudha më e lumtur e jetës sime, por nuk ishte. Përkundrazi, ishte ndoshta periudha më e ulët, për shkak të veprimeve egoiste që po bëja”, përfundoi Rooney./ Telegrafi /
