TË FUNDIT

SËMUNDJA E PARKINSONIT

Poezi nga: Galway Kinnell [1] Përktheu: Agron Shala

Teksa e ushqen me lugë me njërën dorë ajo mban dorën e tij me dorën tjetër të saj, ose më saktë e lë të sajën të prehet mbi të tijën e cila është përherë e mbyllur grusht. Kur ai e kthen kokën në anën tjetër, ajo zgjatet përreth dhe pa parë ia fut lugën në gojë. Ai s’e pranon kafshatën tjetër derisa ta ketë përtypur tamam këtë. Ndritja e syve të tij të pulitur i tregon asaj se është i shijshëm karkaleci që sapo ia ka futur në gojë. Pas zërit dhe prekjes së atyre që duam, ushqimi mund të jetë kënaqësia jonë e fundit në tokë— një burrë në pritje të dënimit me vdekje e ha biftekun e tij të viçit me kafshata të vogla dhe çdo gllënjkë vere nga shtamba e shijon nëpër gojë, nesër do të jetë tepër vonë që ata t’ia shkundin këtë darkë prej trupit. Ajo ia ledhaton kokën shumë ngadalë, sikur të donte t’i jepte zemër çdo fijeje të veçantë floku të trazuar që ngrihet prej rrënjës së vet në trurin e tij të goditur. Duke qëndruar pas tij, ajo e mbështet faqen e saj në të tijën, ia puth nofullën e varur, dhe sytë e tij duket sikur pushojnë së shikuari dhe nuk bëjnë asgjë tjetër veçse lëshojnë dritë. A mund të jetë parajsa, pas vdekjes, kohë për të kujtuar dijen që mishi kishte prej mishit? Mishi i fytyrës së tij është i vrazhdë, ndoshta nga vitet e kaluara duke u bërë ballë të tjerëve derisa ata tërhiqeshin, dhe më i vrazhdë nga vitet kur edhe vetë ai ballafaqohej dhe edhe ai tërhiqej, dhe edhe më i vrazhdë nga gjithë ajo kohë duke u mërrolur dhe duke reflektuar dhe duke u shqetësuar dhe duke bërtitur dhe ndoshta duke shpërthyer në tërbim. Fytyra e tij zbutet në një lloj grimase të hutuar, sikur njëra prej kafshëve të tjera të përpiqej ta përvetësonte buzëqeshjen njerëzore. Kur merr një biskotë, përdor majat e dy gishtave të mëdhenj për ta kapur dhe për ta shtyrë te gishti tregues që ta mbërthejë, në mënyrë që të mund ta ngrejë. Pastaj ajo e çon në banjë, ku ia ul pantallonat dhe ia heq pelenën e lagur dhe ia mban grykën e shishes te penisi i tij plak derisa ai shurron krejt çka mundet, pastaj ia vë pelenën e pastër dhe ia ngre pantallonat. Kur dalin, ajo është përballë tij, duke ecur së prapthi para tij dhe duke ia mbajtur duart, duke e tërhequr kur ai ndalet, duke ia kujtuar që ta hedhë hapin kur harron dhe fillon të bjerë përpara. Ajo po e udhëheq babanë e saj plak drejt së ardhmes, aq larg sa mund të shkojnë, dhe po e çon prapa në fëmijërinë e saj, ku ajo qëndronte këmbëzbathur mbi majat e këpucëve të tij dhe vallëzonin fokstrot mbi po këtë qilim. I vështroj me kujdes: ajo mund të jetë duke ia mësuar atij hapat e fundit që një ditë mund të m’i mësojë mua. Në këtë çast, ai vezullon dhe shkëlqen, sikur do të jetë vetëm një zhvendosje e vogël për të që të kalojë nga kjo parajsë në tjetrën.

[1] Kinnell, Galway. Parkinson's Disease. Imperfect Thirst. New York : Houghton Mifflin Company, 1994, fq. 43-45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *