Qoku: Alta Banka dhe Soravia janë interesa të liderit suprem, jo të BDI-së
Nënkryetari dhe deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka lëshuar një reagim të ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke analizuar zhvillimet e fundit rreth të afermës së “Alta Bankës”.
Sipas Qokut, reagimi i fuqishëm i strukturave të BDI-së nuk vjen për të mbrojtur ministrat e përfshirë apo partinë si subjekt, e cila sipas tij nuk ka përfituar asnjë cent nga kjo histori, por për të shpëtuar liderin e tyre suprem, Ali Ahmetin, pa të cilin partia do të shembej brenda natës.
Më poshtë keni postimin e plotë të nënkryetarit dhe deputetit të VLEN, Bekim Qoku:
Hollë e hollë, në lidhje me aferën e Alta Bankës, BDI-ja nuk po përpëlitet aq shumë për të mbrojtur veten si subjekt politik. Mos kujtoni se gjithë ky reagim buron nga solidarizimi me ministrat e pranishëm në atë mbledhje të korrikut 2023: Artan Grubin, Bujarin, Kreshnikun e të tjerë. Joooo, aspak!
BDI-ja, si subjekt politik, nuk ka përfituar asnjë cent nga shitja e aksioneve Alta Bankës. Kjo nuk është si afera e Lotarisë, as si aferat e tjera, prej të cilave ka përfituar edhe partia. Prandaj, këto lloj angazhimesh dhe sakrificash, këto piskama patetike në rrjet për mbrojtjen e AAA nuk i njohim, nuk i kemi parë kurrë për BDI-në për aq kohë sa ajo është në opozitë.
Mos keni parë helbete militantë të BDI-së me fotografi të z. Ali Ahmeti kur BDI-ja akuzohej për Listën e Zezë, Lotarinë, Eurovinë, korrupsionin epidemik, arrestimet e funksionarëve të lartë, Botën Serbe, ShIK Jelakun e Daka Davidoviqit etj., etj.?
Por Alta Banka dhe Soravia, sipas kësaj narrative politike, janë tjetër gjë, janë përfitime që lidhen drejtpërdrejt me interesat e liderit suprem të tyre. Jo të partisë. Ajo që po shohim është një përpjekje e organizuar e strukturave të BDI-së, të mbështetura edhe nga disa BDI-istë të maskuar si analistë, për ta nxjerrë të paprekur z. Ali Ahmeti. Për ta mbrojtur asetin e tyre më të çmuar, “gjigandin politik”, liderin e tyre shpirtëror, shpëtimtarin dhe mesian e tyre.
Sepse e dinë shumë mirë se, pa Ali Ahmetin, kjo strukturë ekzistuese e partisë do të shembej brenda natës, si një kullë prej letrash.
Këta e ruajnë A. Ahmetin si sytë e ballit. E dinë shumë mirë se, përveç tij, nuk kanë tjetër kurrgjë me të cilën mund t’i motivojnë klientët e tyre dhe shpresojnë rikthimin e mesias, liderit suprem, Ali AHmetit. (INA)
