Sipas Nju Jork Tajms, Putin kërkon edhe largimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë nga NATO?
Nju Jork Tajms, raporton detaje të turit diplomatik të emisarëve të presidentit Donald Trump në Abu Dabi, Kremlin dhe Dublin. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta amerikane, negociatorët e Rusisë propozuan tërheqjen e NATO-s në pozicionet e para vitit 1997, të modeluara sipas Paktit të Varshavës, transmeton Lideri.mk. Edhe pse nuk përmendet taksativisht, megjithatë kërkesa për kthim të NATO-s në kufijt e para vitit 1997, në njëfarë mënyre është kërkesë edhe për largim të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, si dhe disa vendeve tjera nga NATO.
Më herët, media gjermane Bild, raportoi se Putini kërkoi largimin e Finlandës nga NATO, rajoni i baltikut pa baza ushtarake të aleancës perëndimore dhe një Ukrainë neutral. Ndërkohë luftimet vazhdojnë.
Ukraina njofton se Rusia ka lëshuar gjatë natës 96 dronë sulmues, 61 prej tyre me motor reaktiv. Forcat e mbrojtjes ajrore thonë se kanë rrëzuar ose neutralizuar 81 prej tyre, përfshirë 52 dronë Shahed. Por akte lufte ka pasur edhe në anën tjetër të kufirit. Dronë të shumtë janë lëshuar në disa rajone, ndërsa është goditur një qendër përpunimi mbetjesh në Samara të Rusisë. / Alsat.mk
