POLITIKATË FUNDIT

Arrestohet ish-ministri Haraqija në aksionin e Policisë për narkotikë

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, është në mesin e të arrestuarve në aksionin e policisë për narkotikë, i cili u zhvillua të shtunën. Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati i tij mbrojtës, Korab Bokshi.

Ai ka thënë se Haraqija është arrestuar e më pas intervistuar nga Policia për veprën penale të narkotikëve, ku edhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Bokshi ka bërë të ditur se është bastisur edhe banesa e tij ku janë sekuestruar telefona dhe mjete monetare, për të cilat ka deklaruar se janë kursime të fëmijëve të tij.

“Mbrëmë është arrestuar dhe i është bastisur banesa pas mesnatës. Prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër. I janë sekuestruar telefona dhe disa mjete monetare të cilat janë kursime të fëmijëve të tij”, ka thënë Bokshi.

Ai tutje ka bërë të ditur se nga komunikimet me klientin e tij, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje, e as nuk i njeh personat e tjerë të arrestuar e që janë të lidhur me rastin.

“Sipas komunikimeve me Astritin, ai më ka treguar se nuk ka lidhje me veprën e as me personat e përfshirë. Mund t’i ketë takuar ndonjëherë për shkak të aktivitetit politik, por nuk i njeh personalisht”, ka shtuar tutje.

Bokshi ka thënë se kanë paraqitur ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për ta kundërshtuar masën e ndalimit.

Haraqija dyshohet të jetë arrestuar në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës të quajtur “Heshtja”, në të cilin janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Gjatë operacionit dhe vazhdimit të tij, policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe një substancë të panjohur.

Po ashtu, janë sekuestruar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike e komunikimi dhe pajisje për vëzhgim.

Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.

Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, gjatë periudhës 2004–2007, në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Gjithashtu, në vitin 2012 ka qenë zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Hashim Thaçit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *