BDI: OBRM-PDUKM dhe VLEN, ju i morët vendimet për Alta Bankën, mos e kërkoni fajtorin në derë të huaj
BDI ka reaguar ndaj akuzave të partisë VLEN lidhur me shitjen e aksioneve shtetërore në “Banka Ekonomike” të Manastirit, duke i cilësuar ato si përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë nga Qeveria aktuale.
BDI pretendon se vendimet që mundësuan hyrjen e Alta Bankës nga Beogradi në tregun maqedonas janë marrë gjatë qeverisjes së OBRM-PDUKM-së dhe VLEN-it.
Në reagimin e BDI-së thuhet se ata kishin paralajmëruar për rreziqet që, sipas tyre, lidhen me Alta Bankën dhe akuzon funksionarët e VLEN-it se kanë nënshkruar vendimet përkatëse.
“Ne i paralajmëruam para se Alta Banka të hynte në Maqedoninë e Veriut. Ua thamë publikisht se kjo bankë ka lidhje të dyshimta me të ashtuquajturën ‘Bota Serbe’. Ata nuk deshën të dëgjojnë. Qeveria e OBRM-PDUKM-së dhe funksionarët e saj nga VLEN-i vrapuan t’ia hapnin dyert bankës së Vuçiqit.
Tani që po dalin në shesh dyshimet për prapavijën e kësaj pune, bëhen sikur kanë rënë nga hëna. Nuk dinë gjë, nuk kanë parë gjë, nuk kanë dëgjuar gjë. Vetëm se kanë harruar një gjë: nënshkrimet e tyre janë në dokumente!
Funksionarët e OBRM-PDUKM-së nga VLEN-i mund të bërtasin sa të duan, por nuk mund të jesh në qeveri kur ndahet kulaçi dhe të bëhesh opozitë kur vjen puna për të dhënë llogari.
Ju paralajmëruam. Ju e dinit. Ju i morët vendimet. Ju i vutë firmat. Tani mos kërkoni fajtorin në derë të huaj!
Alta Bankën nuk e solli era. Ia hapët derën ju! Alta Banka është kopili juaj dhe kopilin tuaj nuk mund ta lini në derë të huaj!”, thuhet në reagimin e BDI-së.
