Bad News Eagles nis një epokë të re, zbulon tri projektet që synojnë ta ndryshojnë skenën e esports në Kosovë
Bad News Eagles ka zbuluar disa nga planet kryesore për fazën e re të projektit, duke paralajmëruar tri ditë radhazi me njoftime që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të komunitetit të esports në Kosovë dhe krijimin e mundësive të reja për lojtarët.
Përmes një publikimi me mesazhin “Vizioni ynë. E ardhmja fillon tani”, BNE ka bërë të ditur se më 15, 16 dhe 17 nëntor do të prezantojë tri iniciativa të reja: programin “Hooligans”, rrjetin “BNE Collective” dhe “BNE Academy – FACEIT Path to Pro”.
Njoftimi i parë do të bëhet më 15 nëntor, kur do të prezantohet programi “Hooligans”. BNE e ka përshkruar këtë si një program të ri, me energji të freskët dhe me më shumë zhvillime që pritet të pasojnë.
Një ditë më vonë, më 16 nëntor, do të prezantohet “BNE Collective & Network”, një rrjet që synon të bashkojë krijuesit e përmbajtjeve dhe transmetuesit, duke ndërtuar një komunitet më të madh dhe më të fuqishëm rreth emrit Bad News Eagles.
BNE: VIZIONI YNË. E ARDHMJA NIS TANI! 15 NËNTOR – HOOLIGANS PROGRAM Një program i ri, energji e re dhe shumëçka përpara. 16 NËNTOR – BNE COLLECTIVE & NETWORK Rrjeti ynë i streamer-ave merr jetë! Një hap i ri drejt krijimit të një komuniteti më të madh dhe më të fuqishëm. 17 NËNTOR – BNE ACADEMY & FACEIT PATH TO PRO Hapim rrugën drejt profesionizmit! Një mundësi e re për talentet që synojnë të ngjiten në majat e esports-it. DHE KJO ËSHTË VETËM FILLIMI! BNE po ndërton të ardhmen. Dhe ju jeni pjesë e saj. — BAD NEWS EAGLES (@_badnewseagles) November 14, 2026
Ndërsa më 17 nëntor do të vijë një prej projekteve më interesante për lojtarët e rinj: “BNE Academy & FACEIT Path to Pro”. Përmes kësaj iniciative, BNE synon të krijojë një rrugë drejt profesionalizmit për lojtarët e talentuar që synojnë të arrijnë nivelin më të lartë në esports.
“Po e hapim rrugën drejt profesionalizmit. Një mundësi e re për lojtarët e talentuar që synojnë të arrijnë majat e esports”, thuhet në përshkrimin e këtij projekti.
Në fund të njoftimit, Bad News Eagles ka theksuar se këto iniciativa janë vetëm fillimi i një vizioni më të madh, duke ftuar komunitetin të bëhet pjesë e kësaj faze të re.
Kujtojmë që në vitin 2022, Bad News Eagles u bë ekipi i parë kosovar që u kualifikua në një Major. Formacioni arriti të merrte pjesë në tri Majorë radhazi: Antwerp 2022, Rio 2022 dhe Paris 2023.
Pas një periudhe me organizatën Guild Esports, ekipi u rikthye me emrin Bad News Eagles në shkurt të vitit 2025, por u shpërbë përsëri në qershor të po atij viti./ Telegrafi /
