POLITIKATË FUNDIT

Turizmi në Shqipëri merr ‘goditje’ në tetor, ministri Gonxhja: Bien me 68% rezervimet për vitin 2027

"Tetori nuk na solli lajme të mira me situatën e ngjarjeve në Tiranë"

Muaji tetor ka shënuar një kthesë negative për turizmin në Shqipëri, me rënie të numrit të vizitorëve të huaj dhe një ulje të ndjeshme të rezervimeve për vitin e ardhshëm.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i ftuar këtë të enjte, më 12 nëntor, në emisionin “Aldo Morning Show”, bëri të ditur se hyrjet e shtetasve të huaj në vend gjatë tetorit kanë rënë me rreth 18%, ndërsa rezervimet për vitin 2027 janë ulur me rreth 68%.

Sipas ministrit, tetori është muaji i parë dhe i vetëm i këtij viti që ka regjistruar rënie, pas një periudhe më të suksesshme turistike. Gonxhja e lidhi këtë situatë edhe me ngjarjet e ndodhura në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që ato mund të kenë në perceptimin e turistëve të huaj për Shqipërinë.

“Problemi i turizmit sot është që neve tetori nuk na solli lajme të mira me situatën e ngjarjeve në Tiranë dhe ka një rënie rreth 18% të gjithë volumit të hyrjeve të shtetasve të huaj vizitorë në Shqipëri për muajin tetor. Është muaji i vetëm dhe i parë i vitit që ne kemi këtë rënie, kemi qenë gjithmonë në ngritje. Nuk di sa do na komprometojë vitin ky muaj, por është një rënie e konsiderueshme. Kemi një rënie rreth 68% tashmë të rezervimeve, të konfirmimit dhe të rezervimeve për vitin 2027.”

Ministri paralajmëroi që të tregohet kujdes, në mënyrë që të mos dëmtojë një sektor që ka peshë të konsiderueshme në ekonominë shqiptare.

“Kjo na ka bërë të reflektojmë një çikë edhe për pjesën e ndërhyrjes që u bë në TVSH-në e turizmit. Unë do të doja këtë moment për t’u thënë të gjithëve që të gjitha qëllimet që kemi, aq më tepër në qoftë se ato janë të mira, duhet të gjejmë rrugët me sa më pak dëm për vendin dhe për ekonominë dhe sidomos për turizmin që zë gati 30% të volumit të prodhimit të brendshëm bruto të ekonomisë shqiptare. Të mos bëjmë dëme të cilat do na kushtojnë të gjithëve edhe do i kushtojnë buxhetit, dhe gjithë këto fjalë të mira që thamë përpara për buxhetin, vitin që vjen mund të jemi duke i rikonsideruar për shkak të rënies së turizmit.”/Tv Klan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *