POLITIKATË FUNDIT

Trembëdhjetë kandidatë në garë për Avokat të Popullit

Trembëdhjetë kandidatë kanë mbetur në garë për pozitën e Avokatit të Popullit në Kosovë, pasi njëri nga aplikuesit është tërhequr nga procesi i konkurrimit.

Konkursi për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit është shpallur nga Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, përmes Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione.

Në garë për të drejtuar këtë institucion të pavarur kanë mbetur 13 kandidatë: Salihe Salihu, Milaim Çekaj, Makfirete Krasniqi, Shqipe Ibraj-Mala, Mimoza Gavrani, Basri Kastrati, Lumnije Demi, Shpëtim Hajdaraj, Valbona Shala-Thaqi, Muharrem Mustafa, Safet Beqiri, Valbona Puka-Gola dhe Bekim Berisha, raporton RTKlive.

Sipas informacioneve të bëra publike, të shtatë anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione kanë votuar pro shpalljes së konkursit.

Avokati i Popullit është institucion i pavarur, i cili vepron në bazë të parimeve të paanshmërisë, konfidencialitetit dhe profesionalizmit.

Ky institucion ka për mandat hetimin e ankesave të personave fizikë dhe juridikë lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin vendor dhe konventat e standardet ndërkombëtare, me theks të veçantë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit zgjidhet nga Kuvendi për një mandat pesëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, ngriti si shqetësim edhe rastet e fundit të vrasjeve, veçanërisht ato të grave.

Ajo u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të angazhohen për zbatimin e ligjit dhe të mos kufizohen vetëm në reagimin pas ndodhjes së rasteve, por të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e vrasjeve.

Procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit pritet të përcaktojë personin që do të udhëheqë këtë institucion për pesë vitet e ardhshme. /KosovaNews/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *