Kërkohet paraburgim për zyrtarin e Komunës së Prishtinës, bllokohen 48 parcela
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin M.B., i arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në kuadër të hetimeve ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari gjatë vitit 2023, në cilësinë e personit përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.
“Ekziston dyshimi se i pandehuri M.B., me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore për personin tjetër me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, duke mundësuar që prona publike në mënyrë të kundërligjshme të kalojë në emër dhe posedim të personit N.J.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në kuadër të hetimeve, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro.
Sipas Prokurorisë, kjo masë është ndërmarrë me qëllim të parandalimit të tjetërsimit apo humbjes së pasurisë që dyshohet se ndërlidhet me veprimtarinë e kundërligjshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të personave që bien ndesh me ligjin.
