TË FUNDIT

“Ulpiana 2030 Legacy” – banorët të ndarë për realizimin e projektit në hapësirën e gjelbër

Projekti për akomodimin e sportistëve gjatë Lojërave Mesdhetare 2030 ka nxitur reagime te banorët e Ulpianës, të cilët kanë qëndrime të ndryshme për ndërhyrjet e planifikuara në hapësirën e gjelbër.

Projekti “Ulpiana 2030 Legacy”, që parasheh ndërtimin e një objekti për akomodimin e sportistëve gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, po vazhdon të jetë temë diskutimi në Prishtinë.

Derisa drejtori i Planifikimit Strategjik, Bekim Ramku, ka deklaruar se kapacitetet e konvikteve nuk janë të mjaftueshme, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka siguruar se Fontana nuk do të preket nga projekti.

Në anën tjetër, Gëzim Sveçla ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj projektit.

Por, si e presin këtë projekt banorët e Ulpianës dhe a pajtohen me ndërhyrjet e planifikuara në lagjen e tyre?

Banori Kadaf Murseli thotë se nuk e ka të qartë tërësisht projektin, por e mirëpret mundësinë e ndërtimit të parkingut, nëse kjo nuk nënkupton dëmtimin e parkut.

“Nuk e kam të qartë saktë projektin se çka ka me u ba përfundi, por nëse bëhet parking, diçka është në rregull. Çfarëdo që të bëhet, është mirë të shfrytëzohen hapësirat sa më shumë, përderisa parku nuk prishet”, është shprehur ai.

Murseli ka theksuar edhe problemin me parkingjet në lagje, duke thënë: “Veç kqyrne rrethin sa vetura janë. Të gjitha janë të parkuara jo në mënyrë të rregullt, kështu që po mendoj që ish kanë mirë, pse jo”.

Ndërkaq, banori Enver Makolli ka kundërshtuar realizimin e projektit në këtë lokacion, duke vlerësuar se hapësira është e nevojshme për komunitetin.

“Nuk është vendi këtu për atë projekt. Nënkalim nënëtokësor qysh po thonë, ky nuk është vendi. Kjo hapësirë neve na vyn”, ka deklaruar Makolli.

Ai ka ngritur shqetësimin për mungesën e konsultimit me banorët, duke theksuar: “Këta me na i dëmtu, çka me bo na? Qytetarë jemi rregullisht, derisa nuk del në shqyrtim publik”.

Mbetet të shihet nëse projekti do të vazhdojë në formën e propozuar dhe nëse shqetësimet e banorëve do të merren parasysh nga institucionet komunale. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *