TË FUNDIT

Pesë shtetas turq dërgohen në paraburgim për një muaj, dyshohen për sulm me thika dhe kidnapim në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pesë shtetasve të Turqisë, të dyshuar për lëndim të lehtë trupor, shtrëngim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit dhe mund të zgjasë deri më 9, përkatësisht 10 dhjetor 2026.

Të dyshuarit me inicialet M.D., M.D.G., S.K., R.O. dhe M.P. dyshohet se më 1 nëntor 2026, rreth orës 07:20, në Prizren, fillimisht ia kishin bllokuar rrugën një personi me inicialet S.B. me një automjet furgon, për ta sulmuar më pas fizikisht.

Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë, ata e kishin goditur viktimën me grushte dhe shqelma, ndërsa dyshohet se kishin përdorur edhe mjete të mprehta, përkatësisht thika, duke i shkaktuar nëntë plagë shpuese-prerëse.

I dëmtuari kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Pas sulmit, pesë të dyshuarit dyshohet se e kishin futur me forcë në furgon, ia kishin vendosur një thes në kokë dhe e kishin dërguar në një shtëpi private në një lagje të Prishtinës.

Sipas Gjykatës, personi ishte mbajtur aty kundër vullnetit të tij për rreth dhjetë orë, gjatë të cilave dyshohet se ishte kanosur me thika dhe ishte përballur me dhunë e presion të vazhdueshëm.

Qëllimi i dyshuar ishte detyrimi i tij që të ndërpriste aktivitetin e punës në ndërtimin e objekteve të një kompanie në Prizren, t'i largonte punëtorët dhe të largohej nga territori i Kosovës.

Rreth orës 17:00 deri në 17:30 të së njëjtës ditë, të dyshuarit dyshohet se e kishin kthyer atë në Prizren, përsëri me thes në kokë, dhe e kishin lënë në rrugë.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Si arsye për caktimin e kësaj mase, Gjykata ka përmendur rrezikun e arratisjes, pasi të dyshuarit janë shtetas të huaj dhe kanë punë të përkohshme në Kosovë.

Po ashtu, është vlerësuar se ekziston rreziku që ata të ndikojnë te i dëmtuari dhe dëshmitarët eventualë, si dhe të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore.

Gjykata ka konstatuar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të parandaluar këto rreziqe, prandaj ka vlerësuar se paraburgimi është masa më adekuate në këtë fazë të procedurës.

Të pesë të pandehurit dyshohen për veprat penale të lëndimit të lehtë trupor, shtrëngimit dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *