POLITIKATË FUNDIT

Rama konfirmon: Samiti i NATO-s në Tiranë nuk do të mbahet në vitin 2027

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se samiti i ardhshëm i NATO-s nuk do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, duke konfirmuar për herë të parë publikisht përjashtimin e këtij afati, ndërsa Aleanca ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për datën.

Duke folur me gazetarët në Dublin, ku po merr pjesë në samitin e nëntë të Komunitetit Politik Evropian, Rama tha se Shqipëria mbetet vendi i përcaktuar për të pritur takimin e ardhshëm të liderëve të NATO-s.

“Shqipëria është përcaktuar si mikpritësja e ardhshme e samitit të NATO-s. Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri, jo në vitin 2027”, deklaroi kryeministri.

Ai shtoi se, nëse Aleanca vendos të organizojë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë.

“Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të jetë në Tiranë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim”, theksoi Rama.

Deklarata vjen një ditë pas raportimit të Politico-s, sipas të cilit zhvillimi i samitit në vitin 2027 konsiderohej pak i mundshëm nga tre diplomatë të NATO-s, për shkak të kostove, pasigurisë gjeopolitike dhe mungesës së diskutimeve të reja mes aleatëve për atë afat.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kundërshtoi më pas interpretimin e intervistës së tij për Politico-n, duke sqaruar se Shqipëria nuk kishte propozuar as shtyrjen, as zhvillimin virtual të samitit.

Edhe NATO, në një përgjigje zyrtare për Albanian Post, kishte konfirmuar se takimi i ardhshëm do të mbahej në Shqipëri, por pa përcaktuar datën.

“Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Shqipëri dhe ende nuk është marrë një vendim se kur do të zhvillohet”, deklaroi Aleanca.

Në Dublin, Rama foli gjithashtu për marrëdhëniet me Rusinë, duke kritikuar atë që e cilësoi si gabim të Evropës për t’ia lënë diplomacinë aktorëve të tjerë.

“Besoj se është bërë një gabim i madh duke ia deleguar diplomacinë të tjerëve dhe duke u përqendruar vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal komunikimi me Rusinë”, tha ai.

Sipas kryeministrit, mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë, por kjo nuk e përjashton nevojën për dialog.

“Duam apo nuk duam, Rusia nuk do të zhduket. Ajo do të jetë aty”, deklaroi Rama.

I pyetur për projektin e investimit të lidhur me Jared Kushner në Shqipëri, kryeministri mohoi se ishte arritur një marrëveshje për shitjen e ishullit të Sazanit.

“Nuk ka ende marrëveshje. Jemi prej tre vitesh në negociata dhe nuk është shitur asnjë ishull”, tha ai.

Rama theksoi se ishulli është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe do të mbetet i tillë, ndërsa shteti shqiptar synon të jetë aksioner në investimin e propozuar.

Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve për integrimin evropian, duke theksuar se mandati për ta udhëhequr Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian i është dhënë nga qytetarët shqiptarë.

Ai mbrojti procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë dhe kërkoi që Bashkimi Evropian të gjejë një moment të ri bashkimi politik, duke përmendur ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl si referencë.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Dublin mbledh mbi 50 liderë nga vendet anëtare dhe joanëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin kanadez Mark Carney dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *