TË FUNDIT

Mendoni se cigaret elektronike janë të padëmshme? Studimi zbulon rënie të funksionit të mushkërive te të rinjtë

Përdorimi i cigareve elektronike mund të ndikojë negativisht në shëndetin e mushkërive, sipas një studimi paraprak të publikuar në revistën shkencore “Tobacco Control”.

Hulumtimi, i udhëhequr nga Simanta Roy, përfshiu 22 persona të moshës 21 deri në 35 vjeç, të cilëve iu mat funksioni i mushkërive në fillim dhe pas mesatarisht 12 muajsh.

Rezultatet treguan rënie të vlerës FEV1, e cila mat sasinë e ajrit që një person mund të nxjerrë gjatë sekondës së parë të frymëmarrjes.

Rënia ishte më e madhe te pjesëmarrësit që përdornin më shpesh cigare elektronike.

Studiuesit paralajmërojnë se përdorimi afatgjatë i vape mund të lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje kronike të mushkërive, por theksojnë se nevojiten hulumtime të tjera për ta vërtetuar këtë.

Ekspertët kërkojnë kujdes në interpretimin e rezultateve, pasi studimi përfshiu pak pjesëmarrës dhe nuk kishte një grup kontrolli.

Sipas tyre, ende nuk mund të dëshmohet se cigaret elektronike ishin shkaku i drejtpërdrejtë i rënies së funksionit të mushkërive.

Megjithatë, gjetjet shtojnë shqetësimet për sigurinë e cigareve elektronike dhe nevojën për studime më të gjera mbi ndikimin e tyre në shëndet. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *