Izraelit i shtohen problemet para Kosovës – mungon mbrojtësi titullar, në dyshim edhe një tjetër
Kombëtarja e Izraelit pritet të përballet me mungesa të rëndësishme në ndeshjen ndaj Kosovës, e cila zhvillohet të shtunën në Prishtinë, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Mediumet izraelite kanë raportuar të enjten se mbrojtësi i krahut të majtë, Roy Revivo, nuk pritet të jetë i gatshëm për këtë përballje, duke i shkaktuar një tjetër problem skuadrës mysafire para udhëtimit drejt Kosovës.
Sipas Sport5 , Revivo është ankuar për një lëndim muskulor dhe me shumë gjasë do ta humbasë ndeshjen e së shtunës, e cila nis nga ora 15:00 në Prishtinë.
Probleme fizike ka edhe Manor Solomon. Sulmuesi izraelit po përballet me dhimbje në shpinë dhe nuk është në gjendje të luajë një ndeshje të plotë.
Për këtë arsye, sipas raportimit të mediumit izraelit, ai mund të mos jetë në formacionin titullar ndaj Kosovës.
Këto shqetësime vijnë në një moment të rëndësishëm për Izraelin, që ndodhet në pozitën e fundit të Grupit B3 me vetëm dy pikë të grumbulluara.
Në anën tjetër, Kosova renditet e dyta me pesë pikë dhe synon të shfrytëzojë faktorin vendas për të marrë një rezultat pozitiv në këtë duel.
Përballja në Prishtinë është e parafundit në këtë fazë të Grupit B3 dhe ka rëndësi të madhe për të dyja kombëtaret, të cilat kërkojnë ta përmirësojnë pozitën e tyre në renditje./ Telegrafi /
