TË FUNDIT

Gjashtë vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë për trafikim me njerëz në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me gjashtë vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë një person me inicialet A.P., pasi e shpalli fajtor për veprën penale “Trafikimi me njerëz”.

Sipas komunikatës së Gjykatës, aktgjykimi është shpallur më 12 nëntor 2026, nga gjyqtari Samedin Cena, në kuadër të Departamentit të Krimeve të Rënda. I akuzuari dyshohet se nga marsi i vitit 2021 deri më 30 janar 2024, në Gjakovë dhe në disa lokacione të tjera, ka trafikuar një grua me inicialet A.V. nga Prishtina, duke përdorur kanosje, forcë, punë të detyruar dhe forma të tjera të dhunës fizike e psikike, me qëllim të përfitimit.

Sipas aktakuzës, fillimisht i pandehuri kishte krijuar kontakt me të dëmtuarën përmes rrjeteve sociale, ndërsa më pas e kishte angazhuar për të punuar në lokalet e tij në Deçan, Pejë, Klinë dhe Gjakovë.

Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara dyshohet se ishte detyruar të punonte kundër vullnetit të saj, ndërsa të gjitha të ardhurat nga puna i merrte i pandehuri. Gjithashtu, sipas përshkrimit të rastit, kur paratë nuk merreshin drejtpërdrejt nga lokalet, ajo detyrohej të mbulonte obligimet financiare të të akuzuarit, përfshirë qiranë e lokalit, pagat e punëtorëve dhe këstet mujore të kredisë.

Gjykata ka bërë të ditur se dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh do të ekzekutohet 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *