Sezon historik për Real Madridin, klubi drejt një rekordi të ri financiar
Real Madridi pritet të thyejë sërish rekordin e të ardhurave, duke parashikuar një sezon historik nga aspekti financiar, me shifra që mund të arrijnë deri në 1.4 miliardë euro, raporton gazeta spanjolle AS .
Klubi madrilen synon të tejkalojë rekordin e sezonit të kaluar, kur regjistroi të ardhura prej 1.221 miliardë eurosh. Përveç kësaj, drejtuesit presin të përfundojnë vitin financiar me një fitim neto prej 14.2 milionë eurosh.
Anëtarët e klubit do të votojnë të shtunën, më 21 nëntor, për miratimin e llogarive financiare të sezonit të kaluar, si dhe buxhetit aktual, i cili është parashikuar në 1.248 miliardë euro.
Një pjesë e rëndësishme e këtyre të ardhurave pritet të vijë nga aktivitetet komerciale të lidhura me stadiumin ‘Santiago Bernabeu’, të cilat mund të arrijnë në 420.1 milionë euro.
Ndërkohë, të ardhurat nga sponsorët parashikohet të rriten me 22 për qind, falë marrëveshjeve të reja me Adidasin dhe Emirates, si dhe bashkëpunimeve me Hotels.com dhe Uber Eats.
Në këtë rritje do të ndikojnë edhe rinovimet e kontratave me Orange dhe San Miguel.
Një tjetër burim i rëndësishëm financiar për madrilenët është bërë akademia e klubit. Shitjet e futbollistëve si Gonzalo Garcia, Cesar Palacios, Nico Paz, Jacobo Ortega dhe Víctor Munoz kanë ndikuar që të ardhurat e projektuara nga transferimet e lojtarëve të arrijnë në 154.8 milionë euro.
Pavarësisht se shpenzimet për paga dhe amortizimin e transferimeve arrijnë në rreth 700 milionë euro, kostot e personelit përbëjnë vetëm 46 për qind të të ardhurave totale të klubit. Kjo shifër është dukshëm nën kufirin prej 70 për qind të përcaktuar nga UEFA.
Madje, organi drejtues i futbollit evropian e ka përmendur Real Madridin si shembull të menaxhimit të qëndrueshëm financiar në futbollin modern. /Telegrafi/
