Apeli shqyrton dënimin prej 22 vjetësh ndaj Arsim Sylës, avokati kërkon lirimin e tij, familja e viktimës dënim maksimal
Në Gjykatën e Apelit sot është mbajtur seanca ndaj Arsim Sylës, i dënuar me 22 vjet burgim për vrasjen e 34-vjeçarit Valmir Breznica në një supermarket në Podujevë.
Gjatë shqyrtimit të ankesave, avokati mbrojtës i Arsim Sylës, Besnik Berisha, ka kërkuar lirimin e klientit të tij, duke deklaruar se ai do të duhej të lirohej nga burgu. Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, familjes Breznica, ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarin, duke kërkuar që përgjegjësia për vrasjen e Valmirit të marrë dënimin më të rëndë të paraparë me ligj.
Ndërkaq, Arsim Syla nuk ka dhënë deklaratë të veçantë para trupit gjykues, por ka mbështetur fjalën e avokatit të tij, Besnik Berisha.
Rasti ka të bëjë me vrasjen e 34-vjeçarit Valmir Breznica, më 11 shtator 2023, në supermarketin “Interex” në Podujevë.
Në momentin e sulmit me armë zjarri, Breznica ndodhej bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tyre katërvjeçar. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja e tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arsim Syla dyshohej se kishte nxitur djalin e tij të mitur, Lordi Syla, që ta vriste Breznicën për motive hakmarrjeje, pas një konflikti të mëhershëm. Arsim Syla i ka mohuar akuzat.
Më 26 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 22 vjet burgim. Pas ankimimit të aktgjykimit, rasti kaloi në Gjykatën e Apelit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
