Në 100-vjetorin e Route 66: Rruga që u bë mit i Amerikës
Kësaj rruge iu kushtuan këngë të paharrueshme, shkrimtari John Steinbeck e përjetësoi në romanin “Vilet e zemërimit”, pranë saj mori hov industria amerikane e ushqimit të shpejtë. Route 66 është njëkohësisht kujtesë e vështirësive amerikane dhe shprehje e një ëndrre universale: të nisesh, të lësh diçka pas dhe të besosh se përtej horizontit të pret një jetë tjetër. Një homazh për përvjetor.
Para 100 viteve, më 11 nëntor 1926, Route 66 u përfshi zyrtarisht në sistemin amerikan të rrugëve kombëtare. Ajo do të bëhej shumë më tepër se një lidhje mes Chicagos dhe Kalifornisë: një rrugë arratisjeje nga varfëria, një premtim për një jetë të re dhe, më vonë, një simbol i lirisë mbi katër rrota.
Rreth 4 mijë kilometra e gjatë, e shtrirë në tetë shtete amerikane – Route 66 lidhte Chicagon me brigjet e Oqeanit Paqësor, në zonën e Los Angelesit. Kalonte nëpër qytete të vogla, fshatra, fusha dhe shkretëtira, duke bashkuar brendësinë e vendit me Perëndimin e ëndërruar. Rruga solli udhëtarë, rriti tregtinë, ngjalli ëndrra dhe hapi mundësi. Fundja, a nuk është Amerika një vend i mundësive të pakufizuara? Kush ndalej pranë rrugës për të pirë apo ngrënë diçka, bëhej dëshmitar i një Amerike në lëvizje.
Lindja e Route 66 përkoi me zgjerimin e vrullshëm të përdorimit të automobilit. Mes viteve 1920 dhe 1930, numri i automjeteve të regjistruara në Shtetet e Bashkuara pothuajse u trefishua: nga tetë në 23 milionë. Vendi kishte nevojë për një rrjet rrugor, që e bënte më të lehtë udhëtimin në distanca të gjata.
Por në vitet 1930, Route 66 nuk ishte ende rruga e pushimeve dhe e aventurës. Për shumë familje, ajo ishte rruga e mbijetesës. Thatësirat dhe stuhitë e pluhurit, të njohura si katastrofa e “Dust Bowl”, rrënuan bujqësinë në pjesë të mëdha të vendit. Familje të mbetura pa tokë e pa të ardhura ngarkuan plaçkat në veturat e dëmtuara dhe u nisën drejt Kalifornisë, me shpresën se atje do të gjenin punë dhe nisnin një jetë të re.
Shkrimtari John Steinbeck e përjetësoi këtë eksod në romanin “Vilet e zemërimit”, botuar më 1939. Ai e quajti Route 66 “nëna e të gjitha rrugëve” dhe “rruga e një populli në ikje”. Megjithatë, Kalifornia nuk i priste të gjithë krahëhapur. Për shumë të ardhur, ëndrra përfundonte në punë të rëndë dhe shfrytëzim në ferma e plantacione.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Route 66 shërbeu edhe për transportin e pajisjeve ushtarake. Pas luftës, roli i saj ndryshoi sërish. Ekonomia u rrit, punësimi u zgjerua dhe shumë amerikanë patën për herë të parë para të mjaftueshme për të udhëtuar për pikë të qejfit.
Familjet niseshin me automobilat e tyre të mëdhenj drejt Perëndimit, vizitonin Grand Canyonin apo kraterin e meteorit në Arizona. Rruga që dikur përshkohej nga dëshpërimi, tani premtonte pushime, aventurë dhe liri.
Këtë frymë e kapi muzikanti Bobby Troup në këngën “(Get Your Kicks on) Route 66”. Në shkurt të vitit 1946, pak pas mbërritjes në Los Angeles, ai pati mundësinë t’ia prezantonte këngën Nat King Cole. Këngëtari dhe pianisti i njohur e regjistroi dhe e shndërroi në hit. Më pas erdhën interpretime të tjera, nga Bing Crosby te Rolling Stones.
Përgjatë rrugës u krijua një botë tjetër: motele në formën e tendave tradicionale indigjene, pika karburanti me arkitekturë të veçantë, restorante të vogla, kinema në ajër të hapur dhe dyqane suveniresh. Krejt kjo infrastrukturë kishte një qëllim: të joshte udhëtarët të ndalonin dhe të shpenzonin. Tabelat e mëdha dhe dritat e neonit u bënë pjesë e peizazhit, po aq sa vetë asfalti.
Edhe një veçanti: në këtë rrugë filloi masivizimi i industrisë amerikane të ushqimit të shpejtë. Në San Bernardino të Kalifornisë u hap më 1940 restoranti i parë McDonald’s. Hamburgerët, patatet e skuqura dhe pijet me qumësht e akullore u bënë pjesë e përvojës së udhëtimit.
Megjithatë, liria që premtonte Route 66 nuk ishte e barabartë për të gjithë. Diskriminimi dhe ndarja racore kufizonin mundësitë e shumë amerikanëve për të udhëtuar, për t’u ushqyer apo për të fjetur në të njëjtat vende si të tjerët. Pas imazhit romantik të rrugës qëndronte një realitet më i ndërlikuar.
Me ndërtimin e autostradave të reja ndërshtetërore, Route 66 e humbi gradualisht rëndësinë. Trafiku shmangu qytezat, ndërsa shumë biznese buzë rrugës mbetën pa klientë. Në vitin 1985, ajo u hoq zyrtarisht nga sistemi amerikan i rrugëve kombëtare.
Por fundi administrativ nuk ishte fundi i historisë së saj. Përkundrazi, rruga u kthye gjithnjë e më shumë në mit.
Sot, njerëz nga e gjithë bota udhëtojnë përgjatë segmenteve të mbetura, në kërkim të moteleve të vjetra, tabelave historike dhe gjurmëve të një Amerike të dikurshme. Edhe pse traseja ndryshoi ndër vite dhe nuk pati kurrë një version të vetëm, të pandryshueshëm, të Route 66 “autentike”, fuqia e saj simbolike mbetet.
Ajo është njëkohësisht kujtesë e vështirësive amerikane dhe shprehje e një ëndrre universale: të nisesh, të lësh diçka pas dhe të besosh se përtej horizontit të pret një jetë tjetër.
