POLITIKATË FUNDIT

BDI dhe VLEN ndahen me vetëm 0,8 pikë përqindjeje, çfarë tregojnë anketat e tetorit?

Vetëm 0,8 pikë përqindjeje e ndajnë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) nga koalicioni VLEN në mbështetjen e qytetarëve, sipas rezultateve të përmbledhura të tri anketave të realizuara gjatë muajit tetor në Maqedoninë e Veriut.

Sipas të dhënave të prezantuara nga kryeministri Hristijan Mickoski në një takim me gazetarët, BDI-ja ka mbështetje prej 7,9 për qind, ndërsa VLEN-i 7,1 për qind, duke treguar një diferencë të ngushtë mes dy subjekteve kryesore politike shqiptare.

Në nivel shtetëror, VMRO-DPMNE prin me 24 për qind të mbështetjes, e ndjekur nga LSDM-ja me 8,5 për qind. Pas tyre renditen BDI-ja me 7,9 për qind, VLEN-i me 7,1 për qind, Levica me 6 për qind dhe ZNAM-i me 2 për qind.

Të dhënat janë përmbledhje e tri anketave të realizuara nga tri agjenci të ndryshme, me porosi të VMRO-DPMNE-së. Dy prej tyre janë zhvilluar përmes anketimit në terren, ndërsa njëra përmes telefonit.

BDI ruan mbështetjen, VLEN shënon rritje

Krahasuar me anketën e muajit prill, BDI-ja ruan të njëjtin nivel mbështetjeje prej 7,9 për qind, ndërsa VLEN-i ka shënuar rritje nga 6,2 në 7,1 për qind.

Në të njëjtën periudhë, VMRO-DPMNE ka zbritur nga 25,7 në 24 për qind, ndërsa LSDM-ja ka shënuar një rritje të lehtë, nga 8,3 në 8,5 për qind.

Të dhënat krahasuese nga shkurti deri në tetor tregojnë se mbështetja për partitë ka qenë relativisht stabile. VMRO-DPMNE ka lëvizur nga 24 deri në 25 për qind, LSDM-ja nga 8 deri në 9,3 për qind, BDI-ja nga 7,5 deri në 8 për qind, ndërsa VLEN-i nga 6,5 deri në 7 për qind. Levica ka regjistruar mbështetje nga 5 deri në 6 për qind, ndërsa ZNAM-i nga 2 deri në 2,5 për qind.

Korrupsioni dhe ekonomia, shqetësimet kryesore të qytetarëve

Anketat kanë përfshirë edhe perceptimet e qytetarëve për problemet kryesore me të cilat duhet të merret Qeveria. Korrupsioni dhe kriminaliteti renditen në vendin e parë me 33 për qind, ndërsa ekonomia dhe standardi jetësor pasojnë me 27 për qind.

Sa i përket integrimit evropian, sipas rezultateve të prezantuara, rreth dy të tretat e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, në të njëjtën kohë po rritet kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese që kërkohen në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ky kundërshtim është veçanërisht i theksuar te qytetarët e komunitetit maqedonas, ku rreth 80 për qind shprehen kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa prirja e kundërshtimit po rritet edhe te komunitetet e tjera etnike.

Rezultatet janë prezantuar nga kryeministri Mickoski, ndërsa bëhet fjalë për anketa të porositura nga VMRO-DPMNE-ja dhe jo për një hulumtim të vetëm të realizuar nga një institucion i pavarur.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *