Dogana aksion në Prilep, Mustafa Dauti zbulon detajet e aksionit ku u konfiskuan afro 170 kg duhan i paligjshëm!
Zëvendësdrejtori i Doganës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka njoftuar se gjatë orëve të fundit është zhvilluar siç theksoi aksion i suksesshëm i realizuar në qytetin e Prilepit, ku autoritetet doganore kanë konfiskuar 168,7 kilogramë duhan të prerë, duke parandaluar shmangien e akcizës në vlerë prej 463.787 denarësh.
“Në kuadër të kontrolleve të detajuara, inspektorët kanë identifikuar gjashtë persona që ushtronin shitjen e duhanit pa pulla akcize, ndaj të cilëve tashmë janë iniciuar procedurat përkatëse ligjore. Ky aksion pason ndërhyrjen e fundit ku u sekuestruan 135 kilogramë duhan i prerë. Këto dy aksione të njëpasnjëshme brenda një kohe të shkurtër dërgojnë një mesazh të prerë nga ana e institucioneve”, theksoi Dauti.
Ai shtoi se institucionet mbeten plotësisht të angazhuara në mbrojtjen e interesit publik dhe se përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe hetimeve të thelluara, synohet parandalimi i shmangies së detyrimeve ligjore dhe sigurimi i një konkurrence të drejtë për të gjithë ata që veprojnë në mënyrë të ligjshme.(INA)
