TË FUNDIT

Fitorja e Milatoviç në Mal të Zi u festua me flamuj serb, në festën e fitores prezent edhe liderë politik pro-serb e pro-rus

Fitorja e Milatoviç në Mal të Zi u festua me flamuj serb, në festën e fitores prezent edhe liderë politik pro-serb e pro-rus

Flamujt serbë dhe festa e përkrahësve të presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, me tre gishtat e ngritur lart lartë, arritën të lënë në hije fjalimin e tij pajtues dhe pro-evropian, të cilin e mbajti pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, të dielën në mbrëmje.

Përderisa Milatoviq iu drejtua mbështetësve të tij duke thënë se do të jetë presidenti i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe se do ta udhëheqë vendin drejt BE-së, pas tij qëndronin të gjithë liderët e koalicionit pro-serb që mundi Milo Gjukanoviqin në zgjedhjet parlamentare të 2020-ës.

Midis tyre ishin Andrija Mandiq, duka çetnik dhe lider i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Dritan Abazoviq, kryeministër në një mandat teknik dhe Aleksa Beçiq, ish-kryetar i parlamentit dhe lider i Malit të Zi Demokratik.

Shumë u befasuan edhe nga prania e Zdravko Krivokapiqit, kryeministrit të qeverisë së parë të formuar pas humbjes së Gjukanoviqit në zgjedhjet e vitit 2020, i cili së fundmi njoftoi se po tërhiqej nga skena politike. Pikërisht në qeverinë e tij, formimi i së cilës ishte më i ndikuar nga Kisha Ortodokse Serbe, Jakov Milatoviq ishte Ministër i Ekonomisë dhe kështu bëri hapat e tij të parë politik.

Krahas kësaj, në rrugët e shumicës së qyteteve malazeze, mbështetësit e Milatoviqit e festuan fitoren e tij duke tundur trengjyrëshet serbe dhe duke ngritur tre gishtat.

Vazhdimi i procesit të nisur në vitin 2020

Analistët në Podgoricë e shohin fitoren e Milatoviqit si vazhdimësi të procesit që filloi në vitin 2020 dhe që shënon ndryshimin e elitës dhe ndërrimin e brezave.

“Shpresoj që të gjitha aspektet negative të rregullit të DPS-së të zhduken dhe ato që kanë të bëjnë me temat ekonomike, Bashkimin Evropian dhe sundimin e ligjit do të forcohen – tha për RTCG analisti politik Millosh Beshiq.

Sipas tij, nëse Milatoviq braktis ndarjen, në Mal të Zi mund të krijohet një “epokë e re”, që do të nënkuptonte edhe ngritjen e kapaciteteve të tij demokratike.

“Mendoj se qytetarët kanë dërguar mesazh të qartë se duan ndryshime dhe se përtej identifikimit me ndonjë lider të ri politik, elita e re politike duhet të kujdeset për nevojat e tyre”, tha Beshiq.

“Jam i bindur se në çdo situatë të ngjashme, qytetarët do ta ndryshojnë qeverinë shumë më lehtë se më parë. Qytetarët nuk do të presin 30 vjet për t’u zëvendësuar herën tjetër”, thekson ky analist, duke shtuar se lideri i ri do të duhet të mbajë atë lloj përgjegjësie nëse nuk e përmbush rolin e tij historik, pra premtimet dhe prioritetet e tij.

Jakov Milatoviq, kandidati presidencial i Lëvizjes Evropa Tani, fitoi 60 për qind të votave në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Kundërshtari i tij, lideri për një kohë të gjatë i Malit të Zi dhe presidenti aktual Milo Gjukanoviq, kishte mbështetjen e 40 për qind të votuesve.

Malazezët së shpejti do të shkojnë sërish në zgjedhje

Agjencia Hina kujton se malazezët së shpejti do të shkojnë sërish në zgjedhje. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë caktuar për 11 qershor dhe mbajtja e tyre menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale është më e mira për Lëvizjen Evropa Tani të Milatoviqit, e cila ende nuk ka hyrë në parlament, sipas analistëve në Podgoricë.

“Mund të supozohet se votuesit, të bartur nga euforia nga zgjedhjet presidenciale dhe lokale, do t’i japin edhe një herë mbështetje të konsiderueshme asaj partie edhe në zgjedhjet parlamentare – tha për TV Vijesti Ognjen Mitroviq nga CEMI.

Evropa e Milatoviqit është tani një forcë politike në rritje në skenën politike malazeze, e cila në nëntor fitoi pushtetin në Podgoricë, kryeqyteti i Malit të Zi, ku jeton një e treta e popullsisë së vendit.

Ai e bazon programin e tij në retorikën ekonomike dhe vendimin e qeverisë në të cilën Milatoviq ishte ministër i Ekonomisë për të rritur pagën minimale në Mal të Zi nga 220 në 450 euro.

Kritikët i akuzojnë për populizëm dhe besojnë se politika e tyre ekonomike nuk është e qëndrueshme, por se ajo bazohet në borxhet kreditore të shtetit të Malit të Zi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *