Xhevat Prekazi e konsideronte Serbinë vendin e tij dhe jetonte në Beograd!
Ish-futbollisti i njohur Xhevat Prekazi ka vdekur të dielën, më 8 nëntor 2026, në moshën 69-vjeçare. Shkaku i vdekjes së tij ende nuk është bërë i ditur.
Prekazi, i lindur në Mitrovicë më 18 gusht 1957, kishte zhvilluar një karrierë të suksesshme me Partizanin e Beogradit, Hajdukun e Splitit dhe Galatasarayn në Turqi, shkruan Bota Sot.
Megjithatë, përtej karrierës sportive, ai kishte ngjallur polemika në Kosovë për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me vendlindjen dhe Serbinë.
Në një intervistë të vitit 2008, Prekazi e kishte cilësuar Serbinë si vendin e tij, duke shpjeguar vendimin për të jetuar në Beograd, shkruan Bota Sot.
Në atë intervistë, ai kishte deklaruar se ishte shqiptar me kombësi, por se nuk dëshironte t’i ndante njerëzit sipas përkatësisë etnike. Ai kishte thënë se Beogradin e konsideronte qytetin e tij dhe kishte kërkuar që futbollistët shqiptarë të Kosovës të luanin edhe në klubet serbe.
Së fundmi, në tetor të vitit 2026, Prekazi kishte tërhequr sërish vëmendjen, pasi kishte deklaruar se nuk i ndiqte ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës. “Nuk e shikoj Kosovën, ndjek vetëm Liverpulin, Boka Juniorsin dhe Galatasarajn. Nuk e shikoj as Partizanin”, kishte deklaruar ai.
Prekazi kishte fituar tri herë titullin e kampionit të Jugosllavisë me Partizanin dhe dy herë titullin e kampionit të Turqisë me Galatasarayn. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai ishte angazhuar edhe në punën me futbollistët e rinj në Serbi./Botasot
