Bien dukshëm temperaturat, pamje nga disa anë të Prishtinës
Bien dukshëm temperaturat, pamje nga disa anë të Prishtinës
Mbi vendin tonë sot po mban mot i ftohtë dhe me reshje bore.
Bora e cila ka nisur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar nuk ka ndaluar për shumë orë, ndërsa si shkak i kësaj edhe shumë rrugë vazhdojnë të jenë vështirë të kalueshme.
Nga Instituti Hidrometerologjik i Kosovës është bërë e ditur se temperaturat do të shënojnë rënie në të dy vlerat ekstreme.
Gjatë kësaj periudhe kohore do të ketë erëra mesatare deri të forta kryesisht nga drejtimi i verilindjes.
Temperaturat minimale do të luhaten prej -1 deri në 2°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 5°C.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica.

“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotëroj mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në lidhje me këtë, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka thënë se ekipet e mirëmbajtjes janë mobilizuar në teren për pastrimin e rrugëve nga bora.
Përpos Prishtinës, bora ka mbuluar shumë pjesë të tjera të Kosovës.
Një gjendje aspak e lehtë ishte mbrëmë edhe në Suharekë./Lajmi.net/






