TË FUNDIT

“Gati katër vjet pa kontakt”, Pepshi publikon letrën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe tregon si u injorua gatishmëria e tij për bashkëpunim

Liron Pepshi, psikiatër dhe psikoterapeut nga Gjakova, i cili ushtron profesionin në Gjermani, ka reaguar publikisht për mungesën e komunikimit nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ndonëse thotë se kishte shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të kontribuar në sistemin shëndetësor të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Pepshi ka bërë të ditur se për gati katër vjet nuk ka pasur asnjë kontakt nga Ministria e Shëndetësisë dhe asnjë ftesë për bashkëpunim, pavarësisht interesimit të tij për të ndihmuar vendlindjen me përvojën dhe ekspertizën profesionale.

Për të dëshmuar komunikimin me institucionet, ai ka publikuar edhe një letër të Ministrisë së Shëndetësisë, të datës 15 dhjetor 2022, përmes së cilës ishte njoftuar se aplikacioni i tij për t’u angazhuar në mbështetje të sistemit shëndetësor të Kosovës si profesionist shëndetësor nga mërgata ishte pranuar.

Në këtë përgjigje, Ministria e Shëndetësisë e kishte njoftuar Pepshin se ekipi i burimeve njerëzore ishte duke shqyrtuar aplikacionet e pranuara në kuadër të thirrjes dhe se po planifikonte rezervimin e termineve për takime individuale, të cilat mund të zhvilloheshin edhe në formë virtuale.

Po ashtu, në letër thuhej se ai do të kontaktohej përmes emailit nga njëri prej zyrtarëve të ministrisë për të planifikuar takimin dhe se do të mbahej i informuar për statusin e aplikimit.

Megjithatë, sipas Pepshit, pas kësaj përgjigjeje nuk pati asnjë komunikim tjetër nga institucionet shëndetësore.

“Gati katër vite pa kontakt nga ministria, pa interes nga asnjë zyrtar, pa asnjë ftesë për bashkëpunim, edhe pse disa herë, në çdo formë, kam shkruar për dëshirën dhe gatishmërinë me i ndihmu vendlindjes në atë që e kam profesion e hobi”, ka shkruar ai./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *