Zbulohen kërkesat e pazakonta të vajzave – duan këmbë më të vogla dhe shpatulla më të ngushta
Kirurgët estetikë në Turqi po përballen me kërkesa gjithnjë e më të pazakonta, si zvogëlimi i këmbëve dhe ngushtimi i shpatullave.
Madje, disa fëmijë po kërkojnë nga prindërit mbushës për buzët si shpërblim për përfundimin me sukses të vitit shkollor.
Për këtë fenomen kanë folur dy specialistë të kirurgjisë plastike në Turqi, të cilët theksuan se ndikimi i rrjeteve sociale po luan një rol të madh në rritjen e kërkesave për ndërhyrje estetike.
Ky trend u diskutua nga Prof. Dr. Yakup Çil, specialist në kirurgjinë plastike, rindërtuese dhe estetike në Spitalin VM Medical Park Florya të Stambollit, dhe Prof. i Asociuar Dr. Emre Hocaoglu nga Departamenti i Kirurgjisë Plastike, Rindërtuese dhe Estetike në Fakultetin e Mjekësisë të Stambollit, për agjencinë turke Ihlas (IHA).
Sipas tyre, disa gra dëshirojnë shpatulla më të ngushta që rrobat t'u qëndrojnë më mirë, teksa burrat kërkojnë shpatulla më të gjera për një pamje më atletike.
Po ashtu, ka persona që duan të zvogëlojnë këmbët për t'i bërë këpucët të duken më elegante.
Kirurgët paralajmëruan se këto ndërhyrje nuk janë të thjeshta dhe mund të shkaktojnë komplikime, ndaj operacionet që kryhen vetëm për arsye estetike duhet të shmangen.
Shqetësues mbetet edhe fakti se mosha e personave që kërkojnë ndërhyrje të tilla po ulet.
Sipas specialistëve, mbushësit për buzët janë bërë aq të zakonshëm, sa disa të rinj i kërkojnë si dhuratë nga prindërit, në vend të biçikletave apo dhuratave të tjera.
Ata u bëjnë thirrje qytetarëve të zgjedhin vetëm mjekë të kualifikuar dhe të mos nënvlerësojnë rreziqet e ndërhyrjeve estetike. /Telegrafi/
