TË FUNDIT

Interpoli e kërkonte, arrestohet në Kullë një person i dyshuar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Kroacisë, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me kontrabandimin.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar më 7 nëntor, rreth orës 17:05, në pikën e kalimit kufitar në Kullë.

I arrestuari është shtetasi kosovar me inicialet M. V., i cili kërkohej përmes INTERPOL-it, në bazë të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kroate.

Arrestimi është kryer nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet e Policisë Kufitare.

Me urdhër të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Policia ka bërë të ditur se procedurat e mëtejshme ligjore do të vazhdojnë në koordinim me institucionet kompetente.

Në njoftim, Policia e Kosovës ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të plotë të Kosovës në INTERPOL, duke vlerësuar se kjo do të mundësonte bashkëpunim më të drejtpërdrejtë dhe më efikas me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *