TË FUNDIT

Simeone e pranon forcën e Barcelonës, por zbulon si synon ta mposhtë skuadrën e Flickut

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, pret që skuadra e tij të kalojë momente të vështira në përballjen me Barcelonën, e cila zhvillohet të dielën në stadiumin “Metropolitano”. Argjentinasi e cilësoi kundërshtarin si një nga skuadrat më të forta në botë.

Atletico Madridi ka mundësinë të ngjitet në krye të tabelës së La Ligës në rast fitoreje, por Simeone është i vetëdijshëm për vështirësinë e sfidës ndaj ekipit të drejtuar nga Hansi Flick.

“Ne gjithmonë përballemi me një skuadër shumë të mirë, ndoshta më të mirën. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Ata kanë talent të jashtëzakonshëm nga mesfusha e tutje”.

“Do të jetë e vështirë, si gjithmonë kundër Barcelonës, dhe duhet ta çojmë ndeshjen aty ku mendojmë se mund t’i lëndojmë”, deklaroi Simeone.

Trajneri i Atletico Madridit pret që Barcelona të ketë periudha të gjata kontrolli të lojës, por shpreson që skuadra e tij të arrijë të imponojë stilin e vet.

“Nuk e di çfarë nënkuptohet me të luajturit kokë më kokë. Po përballemi me një skuadër shumë të mirë dhe e dimë se do të vuajmë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes. Shpresojmë të zhvillojmë lojën që kemi planifikuar”, shtoi ai.

Në fund, Simeone veçoi Raphinhan, duke e vlerësuar lart brazilianin për paraqitjet e tij në sezonin e kaluar dhe fillimin e shkëlqyeshëm të këtij edicioni.

“Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, me punën, shpejtësinë, golat dhe asistimet që sjell. Sezoni i kaluar ishte i pabesueshëm, ndërsa këtë sezon e nisi në mënyrë fantastike”.

“Po luan në një pozitë tjetër, ku gjithashtu paraqitet shumë mirë dhe i jep skuadrës shumë mundësi, pasi Barcelona ka alternativa të shumta”, përfundoi trajneri argjentinas./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *