Radar: “Telekom Srbija, në shënjestrën e autoriteteve gjyqësore”
Portali “Radar” i shtëpisë mediatike serbe “Nova”, botoi dje një artikull që përqendrohet te shqyrtimi i veprimtarisë mediatike të “Telekom Srbija”.
Në hyrje thuhet se: “ Fakti që Vlladimir Lluçiç ( i shpallur non-grata në Kosovë ) – i cili kur u vu në timonin e kësaj kompanie, ajo kishe vlerë të paktën një miliard euro, sot e ka zhytur në borgje prej gati pesë miliardë eurosh. Deri më 25 tetor, kjo nuk konsiderohej si argument për shkarkimin e tij. Siç duket, administrata e Vuçiqit nuk kurseu asgjë për shërbimet që Lluçiq ishte i gatshëm t’u ofronte bosëve të ti j”
Mungesa e transparencës në pronësi, e shoqëruar me një sërë veprimesh që shihen si kërcënim për pavarësinë editoriale, ka bërë që rregullatori i Luksemburgut, ALIA , të rishqyrtojë licencën e transmetimit për N1 (medie e blerë në vitin 2025 nga “Telekom Srbija”).
Ndërkohë, “ Media Board “ , një organ i BE-së për mbrojtjen dhe forcimin dhe mbrojtjen e lirisë së medias, po kryen një hetim të thelluar mbi të gjithë transaksionin në fjalë.
Ndërkohë që mediet në serbi i kritikojnë të bëmat e “Telekom Srbija” si vegël e regjimit autokrat të Vuçiqit, ky operator shtetëror serb ka rol edhe përtej Serbisë, në rajon, dhe ate në zbatimin e projektit “Bota Serbe”.
Telekom Srbija është vënë nën një shqyrtim nga autoritetet gjyqësore dhe rregullatorët evropianë, mes akuzave për struktura pronësie jo transparente dhe financim të mediave politikisht të anshme.
Ka thirrje që “Telekom” të publikojë të gjitha kontratat e prodhimit (të kontentit, përmbajtjes mediale) të lidhura midis viteve 2018 dhe 2026, përfshirë shumat e kontraktuara dhe të paguara; emrat e kompanive të prodhimit; numrin e projekteve të realizuara; të ardhurat e fituara.
Një audio-regjistrim i rrjedhur i një bisede telefonike, i publikuar nga KRIK dhe OCCRP, ka zbuluar një përpjekje të koordinuar nga dy drejtues të kompanive të telekomunikacionit-medieve, për të penguar punën e mediave të pavarura atje. Regjistrimi përmban një bisedë midis Stan Miller, drejtorit ekzekutiv të “United Group” (me seli në Holandë), dhe Vlladimir Lluçiq, drejtorit ekzekutiv të kompanisë shtetërore serbe “Telekom Srbija”. Në audio, drejtuesit diskutojnë strategji për të dobësuar transmetuesit e pavarur — konkretisht “N1 Srbija” — në një kohë kur po zhvillohen protesta kundër qeverisë. Lluçiq theksoi se presidenti serb, Alleksandar Vuçiq, kishte kërkuar largimin e menjëhershëm të Alleksandra Subotiq, drejtores ekzekutive të divizionit mediatik të “United Group”. Pas kësaj bisede, Subotiq u largua nga posti i saj.
Artikulli argumenton se, që në vitin 2021, “Telekom” e shkeli ndalimin për krijimin e mediave të lidhura me shtetin, duke e filluar “EuroNews Srbija” (“Euronews Srbija”) pa u ndëshkuar, pavarësisht ndalimit ligjor.
Më pas, në vitin 2023, u miratua një përjashtim ligjor posaçërisht për “Telekom”-in. Kompania dyshohet se e ka shfrytëzuar këtë privilegj, jo vetëm për të krijuar një monopol në tregun mediatik, por edhe në fushën e kulturës, duke i drejtuar fondet për prodhimin e filmave dhe serialeve televizive, ekskluzivisht, te “besnikët” (producentë të lidhur politikisht).
Vëzhguesit e shohin kombinimin e hetimeve nga rregullatorët e huaj dhe vëmendjes gjyqësore brenda Serbisë, si një pikë të mundshme kthese për një nga kompanitë më të fuqishme shtetërore të Serbisë.
“Telekom Srbija” nuk është një operator i komunikimeve elektronike e mediale që operon në vendin e saj e investon edhe në shtete tjera. Kjo kompani shtetërore serbe është një “vegël mediale” e Vuçiqit (sa ishte në pushtet) për te ushtruar autokracinë në vendin e tij e për te zbatuar “botën serbe” në rajon.
As Kosova, si pasojë e marrëveshjes së Brukselit për telekomunikime e as Shqipëria, nën qeverisja të Edi Ramës, nuk i shpëtuan zgjerimit të kësaj vegle të Vuçiqit.
Siç kemi raportuar disa herë, dega e “Telekom Srbija” në Kosovë – mts DOO – një pasojë e marrëveshjes për telekomunikime në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, operon në Kosovë që prej tetorit të vitit 2015 e disa herë ka qenë në qendër të skandaleve të ndryshme. Prej asaj që përfaqësues ligjor i saj është Zoran Milivojeviq – “Zela”, një figurë e lidhur me Vuçiqin, shofer i tij ka qenë terroristi Vladimir Radivojeviq – “Mami”, ka transmetuar hymne glorifikuese për terroristët e Banjskës, drejtori i saj publikisht e fyente rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Këtë propagandë, në programacionet e “ArenaSport” e tjera të “Telekom Srbija”, e ritransmetonte edhe operatori kabllor “ArtMotion”.
Drejtorit të “Telekom Srbija” i është ndaluar hyrja në Kosovë, ndonëse vetëm në vitin 2026, për shkak të qëndrimeve të tij kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
KosovaNews ka raportuar disa herë në lidhje me përmbatjet mediatike (kontentin) të blera e të prodhuara nga “Telekom Srbija” e entitetet e lidhura me te, si: “Informer”, “Kurir”, “Arena Sport”, e franshizat e ndryshme mediatike, si: “Euro News”, “News Max”.
Nëse në zonat e banuara me serb, përmbajtjet mediatike në fjalë shpërndaheshin me anë të “mts DOO”, në zonat tjera ishte “ArtMotion” operatori që e siguronte shpërndarjen tek amëvisëritë kosovare.
Kurse, në Shqipëri, në nëntor të vitit 2025 “Telekom Srbija”, hapi degën e saj “Arena News”, siç patëm raportuar.
Asaj kohe, mediet tiranase patën raportuar për një shoqëri tregtare të regjistuar në Tiranë, një kompani me kapital serb – kompaninë “Arena News Channels Two Albania” sh.p.k., në pronësi të “Telekom Srbija” AD. “Nga të dhënat e lexuara në regjistrin tregrar të Republikës së Shqipërisë (QKB) kjo kompani është e regjistruar për të ushtruar aktivitet në fushën e medieve”, thuhej ndër tjera në këtë raportim.
