Konsullata e Kosovës në Cyrih viziton kompaninë “Schlatter Industries”: Mund të krijohen ura bashkëpunimi për profesionistët shqiptarë
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me organizatën Albanian Engineering of Switzerland (AES), ka organizuar një vizitë në kompaninë zvicerane “Schlatter Industries” AG, në Schlieren të Cyrihut, ku është diskutuar për mundësitë e ndërlidhjes së komunitetit profesional shqiptar me industrinë dhe ndërmarrjet zvicerane.
Përmes një postimi, Konsullata e Kosovës në Cyrih ka bërë të ditur se vizita u zhvillua mbrëmjen e kaluar, me ç'rast pjesëmarrësit u njohën nga afër me historikun, veprimtarinë dhe kapacitetet prodhuese të kompanisë, shkruan Telegrafi.
“Schlatter Industries” AG është themeluar në vitin 1916 dhe është e specializuar në teknologjinë e saldimit industrial, përpunimin e telave metalikë dhe sistemet për industrinë hekurudhore.
Sipas njoftimit, vizita u mundësoi pjesëmarrësve të njihen me teknologjitë dhe proceset moderne të prodhimit, si dhe të zhvillojnë bashkëbisedime për rëndësinë e krijimit të lidhjeve ndërmjet profesionistëve shqiptarë në Zvicër dhe sektorit industrial të këtij vendi.
Në veçanti, aktiviteti synoi të krijojë mundësi për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave profesionale ndërmjet komunitetit shqiptar dhe ndërmarrjeve zvicerane.
Konsullata e Kosovës në Cyrih ka falënderuar organizatën Albanian Engineering of Switzerland (AES) për organizimin e vizitës, si dhe përfaqësuesit e “Schlatter Gruppe”, Rabit Redzepi, Roger Widmer dhe Roland Kasper, për mikpritjen dhe prezantimin profesional.
Vizita është një tjetër aktivitet që synon forcimin e lidhjeve të komunitetit profesional shqiptar në Zvicër me kompanitë dhe sektorin industrial zviceran. /Telegrafi/
