TË FUNDIT

Shtetasi i Kosovës humb lejen C në Zvicër, Gjykata Federale konfirmon vendimin pas mungesës së provave për qëndrimin e tij

Gjykata Federale e Zvicrës ka refuzuar ankesën e një shtetasi të Kosovës dhe ka konfirmuar se leja e tij e përhershme e qëndrimit C kishte përfunduar automatikisht, pasi ai nuk arriti të dëshmonte se kishte vazhduar të qëndronte në Zvicër për periudhën kur autoritetet nuk dinin vendndodhjen e tij.

Shtetasi kosovar kishte hyrë në Zvicër më 11 tetor 1998, ndërsa lejen e përhershme të qëndrimit C e kishte marrë më 30 korrik 2008, pas martesës me një shtetase kosovare që kishte leje qëndrimi në këtë shtet. Çifti kishte tre fëmijë, ndërsa divorci ishte finalizuar më 16 tetor 2019, shkruan Telegrafi.

Sipas vendimit të Gjykatës Federale , çështja lidhej me periudhën nga 28 marsi 2022 deri më 17 tetor 2023, kur autoritetet nuk kishin arritur ta gjenin dhe kontaktonin atë. Gjatë kësaj kohe, ai nuk kishte një adresë të regjistruar dhe nuk paraqiti dokumente që do të dëshmonin qëndrimin e tij të vazhdueshëm në territorin zviceran.

Ishte dënuar disa herë dhe ishte paralajmëruar nga autoritetet

Dokumenti gjyqësor tregon se burri ishte dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale.

Mes viteve 2009 dhe 2016, ai ishte dënuar pesë herë për punësimin e shtetasve të huaj pa leje pune. Për këtë arsye, më 4 gusht 2016, autoritetet e migracionit të kantonit të Friburgut i kishin dhënë një paralajmërim, duke e njoftuar se nëse nuk përmirësonte sjelljen, leja e tij e qëndrimit mund të revokohej.

Pas këtij paralajmërimi, ai ishte dënuar sërish për punësim të paligjshëm të shtetasve të huaj, ndërsa në nëntor 2018 ishte dënuar për shkelje të ligjit për armët dhe në janar 2019 për fyerje.

Më 2 prill 2020, gjykata e kishte dënuar me 24 muaj burgim, prej të cilëve 12 muaj efektivë dhe 12 muaj me kusht për një periudhë prove prej pesë vjetësh. Dënimi përfshinte edhe një gjobë dhe një dënim me para për disa vepra, përfshirë lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes, ushtrim të dhunës ndaj fëmijëve, kërcënime, detyrim, shkelje të detyrimit për përkujdesje dhe edukim, si dhe vepra të tjera.

Ai ishte dënuar gjithashtu për shkelje të rënda të rregullave të trafikut dhe për vepra që lidhen me sigurimet shoqërore dhe kontabilitetin.

Më 9 qershor 2021, autoritetet e Friburgut e kishin njoftuar për synimin që t'ia revokonin lejen e qëndrimit dhe ta dëbonin nga Zvicra. Megjithatë, më 20 shtator 2021, ai kishte marrë një paralajmërim të fundit, me të cilin ishte njoftuar se vazhdimi i veprave penale ose grumbullimi i borxheve do të çonte në revokimin e lejes dhe dëbimin nga vendi.

Autoritetet nuk arritën ta gjenin pas dëbimit nga banesa

Më 28 shkurt 2022, ndaj tij ishte ndërmarrë një procedurë dëbimi nga garazhi që merrte me qira në Granges-Paccot, në kantonin e Friburgut. Më pas, më 28 mars 2022, ishte dëbuar edhe nga banesa që merrte me qira në qytetin e Friburgut.

Gjatë zbatimit të kësaj mase, autoritetet nuk kishin arritur ta gjenin dhe as ta kontaktonin. Ai nuk kishte tërhequr letrat rekomande që i ishin dërguar në adresën e tij.

Më 20 prill 2022, ish-bashkëshortja e tij ishte kontaktuar nga autoritetet, por kishte deklaruar se nuk kishte më kontakte me të dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Numri i telefonit që ajo njihte nuk ishte më në përdorim.

Më 28 shtator 2022, emri i tij ishte hequr zyrtarisht nga regjistri i banorëve të qytetit të Friburgut. Një muaj më vonë, më 26 tetor 2022, autoritetet e kishin regjistruar largimin e tij drejt një destinacioni të panjohur, me efekt nga 28 marsi 2022.

Ndërkohë, policia ishte përpjekur disa herë ta kontaktonte në kuadër të një hetimi penal për mashtrim, falsifikim dokumentesh, pastrim parash dhe shkelje të legjislacionit për kreditë e solidaritetit të lidhura me pandeminë COVID-19.

Më 29 mars 2023, ai ishte paraqitur vullnetarisht në polici. Gjatë marrjes në pyetje kishte deklaruar se nuk kishte adresë të përhershme dhe se qëndronte herë pas here në banesën e partneres së tij.

Më 17 tetor 2023, policia e kishte arrestuar në një kantier ndërtimi në komunën La Verrerie, në kantonin e Friburgut, në bazë të urdhërarresteve të lëshuara nga autoritetet penale. Ai ishte dërguar në paraburgim për të vuajtur dënimet me burgim të shqiptuara ndaj tij.

Pas lirimit me kusht më 14 shkurt 2025, burri ishte vendosur në Lengnau, në kantonin e Bernës, ku jeton me partneren e tij të re dhe fëmijën e tyre të përbashkët, i lindur në vitin 2022 në Biel.

Nuk arriti të dëshmonte se kishte vazhduar të qëndronte në Zvicër

Në procedurën para autoriteteve, shtetasi kosovar kishte pretenduar se nuk ishte larguar nga Zvicra për më shumë se gjashtë muaj dhe se kishte vazhduar të qëndronte në këtë shtet, pavarësisht se nuk kishte pasur adresë të regjistruar.

Ai kishte shpjeguar se gjendja e tij depresive e kishte penguar të paraqitej në zyrën e kontrollit të banorëve në Friburg. Gjithashtu, kishte theksuar se kishte qenë i pranishëm në lindjen e djalit të tij në Biel, më 8 tetor 2022, dhe se kishte qëndruar herë pas here te partnerja në kantonin e Bernës, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, sipas gjykatave, këto pretendime nuk ishin mbështetur me prova të mjaftueshme. Ai nuk kishte paraqitur kontratë pune, kontratë qiraje, fatura, gjoba apo dokumente të tjera që do të vërtetonin praninë e tij në Zvicër gjatë periudhës përkatëse.

Gjykata mori parasysh edhe faktin se ai ishte paraqitur vetë në polici më 29 mars 2023, gjë që dëshmonte praninë e tij në Zvicër atë ditë. Por kjo, sipas arsyetimit gjyqësor, nuk mjaftonte për të dëshmuar qëndrimin e vazhdueshëm gjatë gjithë periudhës.

Çfarë parasheh ligji zviceran për lejen C?

Sipas nenit 61, paragrafi 2, të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin (AIG/LEI), leja e përhershme e qëndrimit shuhet automatikisht pas gjashtë muajsh nëse mbajtësi largohet nga Zvicra pa e deklaruar largimin. Me kërkesë, vlefshmëria e lejes mund të ruhet deri në katër vjet.

Gjykata Federale theksoi gjithashtu se, sipas nenit 90 të të njëjtit ligj, personi i përfshirë në procedurë ka detyrimin të bashkëpunojë me autoritetet dhe të paraqesë provat e nevojshme për sqarimin e rrethanave të çështjes.

Në këtë rast, gjykata vlerësoi se autoritetet kishin paraqitur rrethana konkrete që vinin në dyshim vazhdimësinë e qëndrimit të tij në Zvicër, ndërsa vetë shtetasi nuk arriti të dëshmonte se nuk ishte larguar nga vendi për më shumë se gjashtë muaj.

Gjykata Federale refuzon ankesën

Shtetasi kosovar e kishte kundërshtuar vendimin e autoriteteve të Friburgut, duke kërkuar që leja e tij e përhershme të konsiderohej ende e vlefshme. Ai kishte argumentuar gjithashtu se vendimi cenonte të drejtën e tij për jetë familjare, duke pasur parasysh partneren dhe fëmijën e tyre në kantonin e Bernës.

Megjithatë, Gjykata Federale sqaroi se çështja e mundësisë për të marrë një leje të re qëndrimi për shkak të lidhjeve familjare nuk ishte pjesë e procedurës së shqyrtuar. Kjo çështje duhet të trajtohet veçmas nga autoritetet kompetente të kantonit të Bernës.

Në vendimin e datës 9 shtator 2026, Gjykata Federale e refuzoi ankesën dhe konfirmoi se leja C kishte përfunduar automatikisht sipas ligjit. Gjykata refuzoi gjithashtu kërkesën për ndihmë juridike falas, por vendosi të mos i ngarkonte shpenzime gjyqësore, duke marrë parasysh gjendjen e tij financiare. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *