POLITIKATË FUNDIT

Macron “zbutet” me Kosovën: Presidenca e re, shpresë për rrugën drejt BE-së!

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka përcjellë shpresën se zgjedhja e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, do t’i japë shtysë procesit të integrimit europian të vendit, duke ritheksuar njëkohësisht rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Në një letër urimi drejtuar Shiroka Pulës me rastin e marrjes së detyrës, Macron riafirmoi partneritetin ndërmjet Francës dhe Kosovës, si dhe mbështetjen e Parisit për dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas Presidencës së Kosovës, ai tha se uron në rifillimin e përparimit në fushat që lidhen me perspektivën europiane të vendit. Kosova vazhdon të përballet me ngecje në procesin e integrimit evropian. Edhe pse ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, kërkesa e saj ende nuk është shqyrtuar nga shtetet anëtare. Për më tepër, pesë vende të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Në raportin e publikuar më 4 nëntor, Komisioni Europian vlerësoi se kriza politike dhe bllokada institucionale kanë ngadalësuar zbatimin e reformave në vend. Një prej çështjeve kryesore të ngritura nga Macron mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Të dyja vendet arritën Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit në Bruksel, në shkurt të vitit 2023, dhe u pajtuan për aneksin e zbatimit në Ohër një muaj më vonë. Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa palët fajësojnë njëra-tjetrën për mosrespektimin e zotimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *