TË FUNDIT

Gjashtë të vdekur dhe shtatë të lënduar nga zjarri në një banesë në Brooklyn të New Yorkut

Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu një ndërtesë banimi në Brooklyn të New Yorkut, në orët e para të së enjtes, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit (FDNY).

Zjarri shpërtheu në lagjen Sunset Park, ku më shumë se 200 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës u angazhuan në operacionin për shuarjen e flakëve dhe shpëtimin e personave që kishin mbetur të bllokuar brenda ndërtesës.

Autoriteteve iu deshën rreth tri orë për ta vënë zjarrin nën kontroll, pasi flakët u përhapën në të gjithë ndërtesën dykatëshe dhe më pas edhe në një shtëpi tjetër pranë saj.

Sipas dëshmitarëve dhe autoriteteve, zjarri shpërtheu rreth orës 01:40 të mëngjesit, në rrugën 58, mes avenuve të Gjashtë dhe të Shtatë, transmeton Telegrafi.

Në vendngjarje u gjetën edhe një ose dy bateri litium-jon, por deri më tani nuk është konfirmuar nëse ato kishin lidhje me shkaktimin e zjarrit, bëri të ditur FDNY.

Megjithatë, bateritë e këtij lloji janë bërë shkak për një numër në rritje të zjarreve në Shtetet e Bashkuara. Ato përdoren në biçikletat elektrike, karikuesit elektronikë dhe pajisje të ndryshme shtëpiake.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, gjatë një paraqitjeje televizive në orët e para të së enjtes, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe vlerësoi punën e zjarrfikësve dhe ekipeve të emergjencës.

– YouTube www.youtube.com

“Po e përcjellim nga afër këtë zjarr, i cili u mori jetën gjashtë banorëve të New Yorkut. Është një ngjarje shkatërruese. Dua të vlerësoj guximin e zjarrfikësve tanë, të cilët çdo ditë përballen me rrezikun, duke hyrë në ndërtesa për të shpëtuar jetë njerëzish”, deklaroi Mamdani.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e parandalimit të zjarreve dhe respektimit të masave të sigurisë, duke përmendur veçanërisht rrezikun që paraqesin bateritë e biçikletave elektrike.

“Ne po hetojmë shkakun e këtij zjarri, por mund të them se zjarret e shkaktuara nga bateritë e biçikletave elektrike në New York kanë kaluar tashmë shifrën prej 400 rastesh këtë vit. Ato mund t'u marrin njerëzve jetën dhe t'u shkatërrojnë edhe mjetet e jetesës. Po shqyrtojmë çdo mundësi për të garantuar sigurinë”, shtoi ai, raportoi ABC News.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë, të cilët ishin në gjendje kritike, ndërruan jetë në spital.

Katër persona të tjerë pësuan lëndime që nuk konsiderohen kërcënuese për jetën, ndërsa tre zjarrfikës morën lëndime të lehta gjatë operacionit.

Deri në orët e para të së enjtes, autoritetet nuk kishin publikuar identitetin dhe moshën e viktimave. Ndërkohë, hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit janë në vazhdim. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *