Vedat Muriqi: Jam krenar që pas 18 vjetësh shënova golin e fitores në Ligën e Kampionëve
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili aktualisht është pjesë e Fenerbahçes, shpreson që fitorja ndaj Liverpoolit të jetë pikë kthese për skuadrën e tij.
Në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve, Fenerbahçe e mposhti në shtëpi skuadrën angleze Liverpool me rezultat 3:2.
Pas ndeshjes, Vedat Muriqi, i cili shënoi golin vendimtar të fitores për skuadrën turke, foli për mediat.
“Para së gjithash, mendoj se kemi arritur një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme. E merituam. Që para ndeshjes kisha ndjenjën se kjo do të ishte një mbrëmje shumë e mirë për ne. Luftuam jashtëzakonisht shumë në fushë.
Si skuadër po kalojmë një periudhë të vështirë. Ishalla kjo fitore bëhet pikë kthese për ne dhe, në fund të sezonit, pasi të shpallemi kampionë, ta kujtojmë të gjithë së bashku këtë fitore me krenari”, deklaroi Muriqi, transmeton mediumi turk “TRT Spor”.
“Tifozët janë gjithmonë të jashtëzakonshëm, por sot ishte diçka e veçantë”
Duke folur për atmosferën në stadium, sulmuesi u shpreh:
“Tifozët tanë janë gjithmonë të jashtëzakonshëm, por sot ishin edhe më të veçantë. Edhe pse moti ishte me shi, stadiumi përsëri ishte i mbushur plot.
Dua t’i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që erdhën në stadium, në emrin tim dhe në emër të bashkëlojtarëve të mi.
Atmosfera ishte e mrekullueshme dhe mendoj se edhe ne në fushë ua treguam tifozëve Fenerbahçen që ata kanë kohë që dëshirojnë ta shohin. Fenerbahçen mund ta ringremë vetëm në këtë mënyrë, brenda dhe jashtë fushës.”
Muriqi kujtoi edhe fitoren e famshme të Fenerbahçes ndaj Chelseat në vitin 2008, kur skuadra turke kishte triumfuar me rezultat 2:1.
“E kujtoj shumë mirë ndeshjen e para 18 vjetëve, kur isha fëmijë dhe Fenerbahçe e mposhti Chelsean me rezultat 2:1. Atë ndeshje e kisha shikuar në Kosovë së bashku me shokët e mi.
Pas 18 vjetësh, jam shumë i lumtur dhe krenar që në Ligën e Kampionëve shënova golin e fitores për Fenerbahçen”, deklaroi Muriqi.
“Te Fenerbahçe është normale të ketë presion”
Në fund, Vedat Muriqi foli edhe për kritikat ndaj skuadrës, duke pranuar se presioni në një klub të madh si Fenerbahçe është i pashmangshëm.
“Kritikat natyrisht se do të jenë gjithmonë të pranishme. Te Fenerbahçe është normale të ketë presion.
Megjithatë, ndonjëherë mendoj se ka edhe kritika të pamëshirshme.
Por në futboll secili e ka të drejtën të kritikojë. Prandaj, kemi respekt të pafund si për ata që na mbështesin, ashtu edhe për ata që na kritikojnë.
Nëse vazhdojmë të luftojmë deri në fund të sezonit ashtu siç luftuam sot, mendoj se do të jetë shumë mirë për ne”, përfundoi Vedat Muriqi.
