AUV mbyll linjat e prodhimit të Qumështores Vita ku është përdorur vaji i palmës pa autorizimet përkatëse
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), gjatë kontrolleve të realizuara nga maji deri në shtator të këtij viti, ka ndaluar aktivitetin e 11 fabrikave ose linjave të prodhimit të qumështit dhe produkteve të tij, për shkak të përpunimit ose paketimit të produkteve me përmbajtje të vajit të palmës pa autorizimet përkatëse. Në përgjigjen e dhënë për RTK-në, AUV ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë inspektuar 30 subjekte dhe janë identifikuar gjithsej 56 produkte me përmbajtje të vajit të palmës. Po ashtu, nga tregu janë tërhequr 16 mijë e 457.81 kilogramë produkte. Sipas burimeve të KosovaNews, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar mbylljen e linjave të prodhimit në Qumështoren Vita. Ky veprim vjen pas zhvillimeve të fundit lidhur me pretendimet për përdorimin e vajit të palmës në disa produkte të qumështit UHT të kësaj kompanie. Muaj më parë Ministri i Bujqësisë Armend Muja kishte deklaruar se analizat e realizuara nga AUV-ja kishin konstatuar praninë e yndyrave bimore, përkatësisht vajit të palmës, në disa brende të prodhuara nga “Qumështorja Vita” që ishin deklaruar si qumësht. Sipas informacioneve të siguruara nga KosovaNews, inspektorët e AUV-së kanë ndërmarrë masa ndaj fabrikës, duke pezulluar funksionimin e linjave të prodhimit deri në përfundimin e procedurave. Masat e ndërmarra kanë përfshirë ndalimin e aktiviteteve të paautorizuara, tërheqjen e produkteve jokonforme nga tregu, ndërprerjen e certifikimit për eksport dhe inicimin e procedurave ligjore ndaj operatorëve që kanë shkelur kërkesat në fuqi. Ndërkohë, AUV ka nisur zbatimin e një programi të përhershëm të survejimit dhe monitorimit të sektorit të qumështit, i cili parasheh kontrolle të rregullta dhe analiza laboratorike të përmuajshme për produktet vendore dhe ato të importuara.
