TË FUNDIT

Tentoi të ikte me aeroplan në Moskë, por pilotin e detyruan të kthehej në Beograd – reagon Vulin

Kryetari i Lëvizjes së Socialistëve në Serbi, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se po udhëtonte drejt Moskës për çështje pune, por u zgjua gjatë fluturimit kur aeroplani ishte kthyer në Beograd.

Ai tha se nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte deri në momentin kur ekuipazhi i njoftoi pasagjerët se kishin mbërritur sërish në kryeqytetin serb.

“Për të qenë i sinqertë, thjesht u zgjuam. Kisha fjetur në aeroplan. Kur hapa sytë, na thanë se jemi në Beograd. Pyeta: Si në Beograd?”, tregoi Vulin në një lidhje telefonike për televizionin “Informer”, raporton N1 .

Ai tha se pas zbritjes kishte parë policinë dhe forcat speciale të mbledhura në aeroport, ndërsa më pas iu nënshtrua kontrolleve të sigurisë, së bashku me udhëtarët e tjerë dhe veçmas.

Vulin e cilësoi kthimin e aeroplanit si një përpjekje për përballje politike me të, duke pretenduar se nuk kishte asgjë të paligjshme në udhëtimin e tij.

Ai shtoi se destinacioni i tij ishte Moska, ku kishte planifikuar të zhvillonte bisedime lidhur me vazhdimin e marrëveshjes për furnizimin e Serbisë me gaz.

Kujtojmë se në orën 18:48 (e martë), ai arriti në jug të Lituanisë, ku, sipas të dhënave të platformave për përcjelljen e fluturimeve, ndryshoi drejtimin dhe u nis për t'u kthyer në Beograd.

Sipas informacioneve të Nova.rs, aeroplani kishte arritur deri në jug të Lituanisë, kur ishte dhënë urdhri për kthimin e tij në Beograd, me arsyetimin se bëhej fjalë për çështje sigurie.

Aleksandar Vulin është një nga politikanët më të afërt me Moskën në skenën politike serbe dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjatë karrierës së tij ka drejtuar disa institucione të rëndësishme, duke shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Punëve të Brendshme, ndërsa nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023 ishte në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Më 11 korrik 2023, Shtetet e Bashkuara e vendosën Vulin në listën e sanksioneve, duke e akuzuar për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe përfshirje në veprimtari të paligjshme të lidhura me narkotikët. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *