TË FUNDIT

Mbyllet qendra humanitare në Bronx pas ndalimit të themeluesit shqiptaro-amerikan nga autoritetet e emigracionit

Një qendër humanitare në Bronx të New Yorkut, e cila për vite me radhë ka ndihmuar mijëra persona në nevojë, ka ndërprerë aktivitetin pas ndalimit të themeluesit të saj, shqiptaro-amerikanit Aleksander Nilaj, nga autoritetet amerikane të emigracionit (ICE).

Sipas raportimit të mediumit amerikan NBC New York , organizata Albanian American Open Hand Association ofronte ndihmë ushqimore për mijëra persona çdo muaj, duke u bërë një pikë e rëndësishme mbështetjeje për familjet në vështirësi ekonomike.

Nilaj, i cili qëndronte pas kësaj nisme humanitare, u ndalua nga autoritetet e emigracionit, ndërsa pas zhvillimit të këtij rasti organizata u përball me ndërprerjen e veprimtarisë së saj, transmeton Telegrafi.

Raportohet se qendra shpërndante ushqime për rreth 7 mijë deri në 8 mijë persona në muaj, duke ndihmuar familje me të ardhura të ulëta dhe individë që kishin nevojë për mbështetje të vazhdueshme.

Rasti ka nxitur shqetësim në komunitetin shqiptaro-amerikan, për shkak të ndikimit që ndërprerja e aktivitetit të organizatës mund të ketë te personat që mbështeteshin në shërbimet e saj.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te roli i organizatave humanitare të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, të cilat përmes nismave vullnetare kontribuojnë në ndihmën ndaj komuniteteve në nevojë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *