TË FUNDIT

Riorganizim në Policinë e Kosovës pas rastit të Arlinda Zekajt, ja kush u emërua në pozitat e reja

Policia e Kosovës ka konfirmuar ndryshime të shumta në strukturën udhëheqëse të institucionit, në kohën kur vrasja e Arlinda Zekajt ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë.

Në një përgjigje për Telegrafin, Policia ka konfirmuar emërimet dhe caktimet e reja në disa pozita të rëndësishme, përfshirë zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, Departamentin e Hetimeve, Inteligjencën dhe Analizën, Departamentin e Kufirit dhe drejtoritë rajonale.

Ndryshimet vijnë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast i cili nxori në pah shqetësime për mënyrën se si institucionet e sigurisë kishin trajtuar kërkesat e saj të vazhdueshme për mbrojtje.

Lidhur me ndryshimet, Policia ka thënë se ato janë bërë në bazë të procedurave ligjore dhe nevojave organizative.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në udhëzimet administrative dhe procedurat e parapara ligjore, si dhe bazuar në nevojat e plotësimit të strukturës organizative dhe planifikimeve të personelit policor, bën sistemimin/caktimin e zyrtarëve policorë në detyra/pozita të caktuara”, thuhet në përgjigje.

Ndër emërimet e konfirmuara janë:

-Kolonel Taibe Canolli-Brajshori – U.D. zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës

-Kolonel Afërdita Mikullofci – Drejtore e Divizionit të Trafikut Rrugor

-Kolonel Agron Rukiqi – Drejtor i Departamentit të Burimeve Njerëzore

-Kolonel Agron Nezaj – Në Zyrën për Hartimin dhe Koordinimin e Projekteve të Policisë

-Nënkolonel Fehmi Xhata – Drejtor i Departamentit të Hetimeve

-Nënkolonel Arben Paçarizi – Drejtor i Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës

-Nënkolonel Veton Elshani – Drejtor i Departamentit të Kufirit

-Nënkolonel Kamer Jonuzi – Drejtor i Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse

-Nënkolonel Fatmir Bajrami – Drejtor i Divizionit të Analizës

-Nënkolonel Gëzim Dibrani – Drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor

-Nënkolonel Jeton Rexhepi – Drejtor Rajonal i Kufirit – Lindje

-Nënkolonel Fatos Makolli – Këshilltar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë

-Nënkolonel Luan Keka – Drejtor Rajonal i Policisë në Gjilan

-Major Blerim Rama – Drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit.

Kujtojmë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Inspektorati Policor i Kosovës kishte ndërmarrë veprime hetimore lidhur me trajtimin e raportimeve të saj, ndërsa 11 zyrtarë policorë në Pejë janë suspenduar.

Policia, nuk ka specifikuar nëse ndryshimet e fundit në strukturën udhëheqëse janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me rastin e Arlinda Zekajt, duke i cilësuar ato si pjesë të riorganizimit dhe nevojave operacionale të institucionit. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *