POLITIKATË FUNDIT

Protestat e dhunshme në Cyrih shkaktojnë tensione politike, partitë kërkojnë masa më të ashpra sigurie

Protestat e dhunshme që tronditën qytetin e Cyrihut gjatë natës së së shtunës kanë nxitur reagime të ashpra politike, me partitë që kërkojnë llogaridhënie nga autoritetet dhe forcimin e masave të sigurisë për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.

Qindra persona, shumë prej tyre me maska të Halloween-it, u mblodhën në një protestë të paautorizuar në Cyrih, ku situata eskaloi në akte dhune dhe dëmtim të pronës publike e private.

Protestuesit vendosën dhe u vunë flakën barrikadave në rrugë, ndërsa një automjet u dogj. Gjithashtu, forcat policore u sulmuan me mjete piroteknike, shishe dhe gurë.

Policia ndërhyri duke përdorur topa uji, gaz irritues dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm. Incidentet nuk u kufizuan vetëm në Cyrih, pasi përleshje dhe trazira u raportuan edhe në Bazel dhe Bernë, shkruan SRF , transmeton Telegrafi.

Partia Popullore Zvicerane (SVP) ka shprehur shqetësim për shkallën e dhunës dhe dëmet e shkaktuara, duke kritikuar reagimin e policisë si tepër të butë.

Përfaqësuesit e saj kërkojnë shtimin e efektivëve të Policisë së Qytetit të Cyrihut dhe sqarime nga autoritetet se pse protestat nuk u ndalën më herët, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun e incidenteve.

Edhe Partia Liberale-Radikale (FDP) ka dënuar dhunën, duke e cilësuar atë si sjellje kriminale dhe jo si shprehje të pakënaqësisë sociale. Ndërkohë, të rinjtë e SVP-së dhe liberalët e rinj kanë kërkuar që partitë e majta të distancohen qartë nga protestat e dhunshme.

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate (SP) e Cyrihut e ka dënuar ashpër dhunën dhe shkatërrimin e pronës, duke theksuar se në qytet nuk ka vend për veprime të tilla. Të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe të Gjelbrit, të cilët kanë kritikuar përdorimin e protestave rinore për të nxitur konfrontime dhe dhunë.

Këshilltarja përgjegjëse për sigurinë në Cyrih, Karin Rykart, ka dënuar incidentet dhe ka rikujtuar se prej vitesh kërkon më shumë personel për Policinë e Qytetit. Në kuadër të buxhetit për vitin 2027, ajo ka kërkuar edhe 17 pozita të reja në shërbimin operativ policor.

Ndërkohë, Policia Kantonale e Cyrihut ka arrestuar dy të rinj zviceranë, të moshës 19 dhe 21 vjeç, të cilët dyshohet se po mblidhnin sende në një kantier ndërtimi për t'i përdorur kundër policisë. Sipas autoriteteve, të arrestuarit kishin me vete edhe pajisje për mbulimin e fytyrës dhe doreza të posaçme që rrisin efektin e goditjes. Policia ka shqiptuar gjithashtu 18 urdhra për largim nga zona.

Një polic është dërguar në spital me dyshimin për helmim nga tymi, por më pas është liruar. Ndërsa rrethanat e lëndimit të një adoleshenti gjatë trazirave mbeten ende të paqarta.

Pas këtyre ngjarjeve, debati politik në Zvicër është përqendruar te përgjegjësia e autoriteteve, kapacitetet e policisë dhe nevoja për masa më efektive për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *