POLITIKATË FUNDIT

Provimi i jurisprudencës, ASH: Dimitrievski me më pak deputetë, por me më shumë pushtet

Aleanca për Shqiptarët thotë se propozimi i ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, që 12 provime teorike të mbahen në gjuhën shqipe, ndërsa 2 provimet praktike vetëm në maqedonisht, ka shkaktuar me të drejtë pakënaqësi te studentët shqiptarë.

Kërkesa e tyre është e qartë dhe e pandryshuar. Provimi i jurisprudencës duhet të mbahet tërësisht në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

"Ndërkohë që studentët shqiptarë presin zgjidhje, ministri Shasivari propozon një model të pjesshëm dhe paralajmëron dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias. Pas dy gjeneratash pritjeje, zvarritja e mëtejshme e kësaj çështjeje është e papranueshme. Në anën tjetër, Maksim Dimitrievski, kryetar i ZNAM-it dhe partner i koalicionit qeveritar, ka deklaruar se gjuha maqedonase është vijë e kuqe për partinë e tij dhe se nuk do të lejojë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Qëndrimi i Dimitrievskit dhe mungesa e vendosmërisë së VLEN-it tregojnë shumë për raportet e forcave brenda Qeverisë. ZNAM, edhe pse me më pak deputetë, arrin të vendosë kushte dhe të mbrojë publikisht qëndrimet e veta. VLEN, megjithëse ka peshë më të madhe parlamentare, vazhdon të kërkojë kompromise edhe për çështje që i ka pasur premtime kryesore para qytetarëve. Si ka mundësi që Dimitrievski, me më pak deputetë, ka më shumë ndikim në Qeveri sesa të gjithë përfaqësuesit e VLEN-it së bashku?", thonë nga ASH.

Ata thonë se VLEN premtoi se provimi i jurisprudencës dhe provimet profesionale do të mbaheshin në gjuhën shqipe. Sot, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, studentëve u ofrohet një zgjidhje e përgjysmuar, ndërsa partnerët maqedonas të koalicionit vendosin vija të kuqe dhe paralajmërojnë se nuk do të lëshojnë pe.

"Kjo situatë ngre pyetje serioze për ndikimin real të VLEN-it në vendimmarrjen qeveritare. Nëse një partner me më pak deputetë arrin të imponojë qëndrimet e tij, atëherë përse VLEN nuk arrin të sigurojë respektimin e një kërkese kaq të rëndësishme për studentët shqiptarë? Pas dy gjeneratash pritjeje dhe më shumë se dy vitesh qeverisjeje, studentët meritojnë një përgjigje përfundimtare. VLEN duhet të marrë përgjegjësinë për premtimet e veta dhe të dëshmojë se ka ndikimin e nevojshëm për t’i realizuar ato. Aleanca për Shqiptarët mbështet plotësisht kërkesën e studentëve dhe i bën thirrje ministrit Shasivari dhe përfaqësuesve të VLEN-it që të tërheqin propozimin aktual dhe të ndërmarrin menjëherë hapat e nevojshëm për mundësimin e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe. Dimitrievski i ka vendosur vijat e kuqe të ZNAM-it. Është koha që VLEN të tregojë nëse ka guximin politik të mbrojë të drejtat e shqiptarëve me të njëjtën vendosmëri", thonë nga ASH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *