Kosovari bie nga skela në Gjermani, dërgohet me helikopter në spital
Një 24-vjeçar nga Kosova ka pësuar lëndime pasi është rrëzuar nga një skelë në një objekt ndërtimi në Wilburgstetten të Gjermanisë.
Sipas raportimit të mediumit gjerman Nordbayern.de , aksidenti ka ndodhur të shtunën pasdite, më 24 tetor, gjatë punimeve në fasadën e një ndërtese të re.
24-vjeçari ishte duke punuar së bashku me një koleg në një skelë në lartësinë e katit të dytë, kur papritur u shkëput njëra prej platformave të saj.
Si pasojë, punëtori ra në tokë, duke pësuar një plagë të hapur në pjesën e ballit dhe një lëndim në kanalin e veshit, transmeton Telegrafi.
Sipas policisë, ai humbi përkohësisht vetëdijen, por pak më vonë u përmend.
Për shkak të lëndimeve, i riu u transportua me helikopter të emergjencës në Spitalin Universitar të Augsburgut.
Mjeku i emergjencës përjashtoi rrezikun për jetën e tij, ndërsa autoritetet nuk kishin dhënë detaje të tjera për gjendjen shëndetësore të 24-vjeçarit.
Në momentin e aksidentit, kolegu i tij ndodhej në anën tjetër të ndërtesës dhe kishte dëgjuar vetëm rënien. /Telegrafi/
