TË FUNDIT

Çfarë konstatoi IPK-ja për 11 policët e suspenduar në rastin e Arlinda Zekajt?

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj, pasi hetimet preliminare kanë evidentuar mangësi në zbatimin e urdhrave mbrojtës dhe në trajtimin e rastit të dhunës në familje.

Sipas njoftimit të IPK-së, hetimet po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të shqyrtimit të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të Zekajt.

Një nga gjetjet kryesore të hetimeve preliminare është se nuk dokumentohet që Policia e Kosovës e ka ekzekutuar urdhrin mbrojtës të datës 7 shtator 2026.

Ndërkaq, urdhri i dytë mbrojtës, i datës 16 tetor 2026, është ekzekutuar më 22 tetor, gjashtë ditë me vonesë. Sipas IPK-së, kjo ka ndodhur pas ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga Inspektorati, i cili paraprakisht kishte pranuar informatë nga vetë ankuesja, Arlinda Zekaj.

IPK-ja ka evidentuar gjithashtu mosshqyrtimin nga zinxhiri komandues të një shkrese elektronike të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga një hetues policor, i cili kishte kërkuar vlerësim të rastit dhe mbështetje shtesë.

Sipas njoftimit, hetuesi kishte vlerësuar se gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo duhej të vizitohej nga patrullat e uniformuara policore dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, me qëllim të vlerësimit të situatës brenda shtëpisë.

Inspektorati ka konstatuar, në fazën preliminare, dështime të zinxhirit komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës kompetente.

Mangësitë e evidentuara përfshijnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin Policor në Vitomiricë, si dhe njësitë e hetimeve në nivel rajonal dhe stacioni.

Ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë;

Shefin e Hetimeve Rajonale në Pejë;

Komandantin e Stacionit Policor në Pejë;

Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë;

Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë;

Ushtruesin e detyrës së shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë;

Komandantin e Nënstacionit Policor në Vitomiricë;

Katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë.

IPK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke synuar trajtimin profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të rastit.

Inspektorati ka theksuar gjithashtu se procesi do të zhvillohet duke respektuar ligjshmërinë dhe prezumimin e pafajësisë.

Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale, veçanërisht lidhur me mënyrën se si u trajtuan raportimet e saj dhe masat e kërkuara për mbrojtjen e saj./Telegrafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *