Dy shqiptarë në mesin e katër të arrestuarve për mbi 30 vjedhje në Itali
Dy shtetas shqiptarë, të moshës 30 dhe 36 vjeç, janë arrestuar në Itali, nën dyshimin për përfshirje në një seri prej më shumë se 30 vjedhjesh në rajonet e Lombardisë dhe Venetos. Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy shtetas italianë.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA , katër personat u arrestuan nga Policia e Shtetit në zonat e Milanos, Monzës dhe Vercellit, pas një hetimi për vjedhje në banesa, farmaci, bare dhe piceri, si dhe për veprën penale të përvetësimit të mallrave të vjedhura, përfshirë armë zjarri.
Dy italianët e arrestuar janë të moshës 47 dhe 56 vjeç.
Hetimi u zhvillua nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Milanos dhe Stacioni i Policisë Greco-Turro. Sipas autoriteteve, aktiviteti i dyshuar i grupit shtrihej nga fundi i vitit 2025 deri në gjysmën e parë të vitit 2026, në disa provinca të Lombardisë dhe Venetos.
Sipas hetuesve, grupi dyshohet se përdorte automjete me fuqi të lartë dhe targa të falsifikuara ose të vjedhura, me qëllim shmangien e kontrolleve policore, transmeton Telegrafi.
Po ashtu, të dyshuarit dyshohet se i fiknin telefonat celularë gjatë aktiviteteve kriminale dhe përdornin mjete për hapjen me forcë të objekteve, si dhe pajisje bllokuese të sinjaleve.
Autoritetet italiane bëjnë të ditur se hetimet kanë mundësuar rindërtimin e aktivitetit të dyshuar të grupit dhe dokumentimin e më shumë se 30 vjedhjeve të mundshme.
Të katër personat janë të dyshuar për veprat penale të përmendura, ndërsa përgjegjësia e tyre penale duhet të përcaktohet nga organet kompetente të drejtësisë. /Telegrafi/
