POLITIKATË FUNDIT

Haxhiu pret delegacionin e NATO-s: Kosova synon anëtarësimin në Aleancë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, rrugën euroatlantike të Kosovës dhe zhvillimet e sigurisë në rajon dhe Evropë.

Delegacioni u udhëhoq nga nënkryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Alberto Losacco, dhe kryetari i Komisionit Politik, Sverre Myrli. Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, si dhe deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Besa Kabashi-Ramaj.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Haxhiu theksoi rëndësinë që NATO-ja ka për qytetarët e Kosovës, duke rikujtuar ndërhyrjen e Aleancës më 1999, të cilën e cilësoi vendimtare për t’i dhënë fund luftës, masakrave dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Serbisë.

Ajo shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e NATO-s dhe theksoi se vendi synon të dëshmojë gatishmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë e përbashkët.

Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, përfshirë sulmin në Banjskë dhe nevojën që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Vëmendje iu kushtua gjithashtu agresionit rus kundër Ukrainës, me ç’rast Haxhiu rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për popullin ukrainas.

Palët trajtuan edhe sfidat që paraqesin dezinformimi dhe kërcënimet hibride, si dhe nevojën për bashkëpunim në mbrojtjen e institucioneve demokratike, besimit të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal.

Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024. Sipas njoftimit, në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit përmes kontakteve të rregullta ndërmjet komisioneve, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e mbrojtjes, përfshirë sigurinë e infrastrukturës kritike.

Haxhiu ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO, duke theksuar rëndësinë e reformave të brendshme dhe mbështetjes së vendeve aleate.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *