TË FUNDIT

A ndikon tableti në gjumin e fëmijëve? Studimi zbulon çfarë ndodh pas 15 minutash me filma vizatimorë

Një studim i publikuar në revistën 'Pediatrics Open Science' ka treguar se shikimi i 15 minutave të një filmi vizatimor në tablet, rreth një orë para gjumit, nuk ndikoi në sekretimin e melatoninës dhe as në cilësinë e gjumit te fëmijët e moshës 15 deri në 24 muaj.

Në studim morën pjesë 32 fëmijë, të cilët në dy mbrëmje të ndryshme ndoqën të njëjtën histori për Peppa Pig, një herë në tablet dhe një herë në formën e librit me ilustrime.

Studiueset matën nivelin e melatoninës përmes mostrave të pështymës dhe monitoruan gjumin e fëmijëve gjatë natës

.Rezultatet treguan se melatonina u rrit në mënyrë të ngjashme në të dyja rastet.

Gjithashtu, nuk u vërejtën dallime në kohëzgjatjen e gjumit apo në kohën që fëmijëve iu desh për të fjetur.

Mesatarisht, ata ranë në gjumë rreth 30 minuta pas shikimit të tabletit dhe 26 minuta pas leximit të librit.

Megjithatë, studiueset theksojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes, pasi ekspozimi ndaj ekranit zgjati vetëm 15 minuta dhe secila situatë u testua vetëm një herë.

Për më tepër, ekranet mund të ndikojnë në gjumin e fëmijëve edhe përmes përmbajtjeve emocionuese ose stimuluese.

Pavarësisht këtyre gjetjeve, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që fëmijët nën moshën dyvjeçare të mos ekspozohen ndaj ekraneve.

Prandaj, studimi nuk dëshmon se përdorimi i tabletit para gjumit është pa rrezik, por vë në pikëpyetje idenë se edhe ekspozimi i shkurtër ndaj dritës blu e pengon domosdoshmërisht sekretimin e melatoninës. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *