Pacolli: Gjermania, partneri ynë kryesor në tranzicionin e gjelbër
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka deklaruar se Gjermania është dhe mbetet partneri më i rëndësishëm strategjik i Kosovës në tranzicionin e gjelbër.
“Gjermania është dhe mbetet partneri ynë më i rëndësishëm strategjik në tranzicionin e gjelbër”, ka shkruar Pacolli, pas takimit me përfaqësuesit e Ministrisë Federale të Gjermanisë (BMZ), Ambasadës Gjermane, GIZ-it dhe KfW-së.
Sipas saj, fokusi i takimit bilateral ishte kalimi nga reformat ligjore te investimet direkte në terren.
Pacolli ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për zbatimin e projektit të deponisë moderne të mbeturinave në rajonin e Prishtinës dhe reformimin e menaxhimit të mbeturinave përmes sistemeve EPR dhe DRS.
Po ashtu, është diskutuar për fuqizimin e kapaciteteve për klimën dhe përshtatjen me kornizat evropiane (MRVA), si dhe përgatitjen e bizneseve vendore për CBAM – Taksën e Karbonit në Kufi, duke mbrojtur konkurrueshmërinë e produkteve të Kosovës në tregun e BE-së.
“Përkushtimi ynë është i plotë që t’i shndërrojmë politikat mjedisore në projekte konkrete për një Kosovë më të gjelbër dhe me mjedis më të pastër!”, ka shkruar Pacolli.
