Digjen dy makina me targa RKS në Zubin Potok
Dy makina, që ishin riregjistruar me targat Republika e Kosovës (RKS) rreth një javë më parë, janë djegur në Zubin Potok, bëri të ditur Policia e Kosovës.
Policia tha se dy persona, të nacionalitetit serb, kanë paraqitur rastin në polici, duke treguar se veturat e tyre ishin djegur rreth orës 02:30 nga persona të panjohur.
“Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit”, thuhet në njoftim.
Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se “strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë të kërcënojnë serbët lokalë” në Zubin Potok.
“Mbrëmë, dy makina në pronësi të serbëve të Kosovës duket se u dogjën vetëm pse kishin targa RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, këto janë targat e vetme legale në gjithë Kosovën”, shkroi ai.
Kjo nuk është hera e parë që në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë djegur vetura me targa RKS.
Në fund të vitit të kaluar, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.
Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë ngritën barrikada në veri.
Barrikadat u hoqën disa ditë më vonë pasi ish-policit Dejan Pantiq iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Në ndërkohë, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtuan për çështjen e targave. Përkatësisht, Kosova hoqi dorë nga veprimet që parashihte vendimi për riregjistrimin e targave, ndërkaq Serbia u pajtua se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina deri më tani janë ri-regjistruar në RKS, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 22 mars se gjithnjë e më shumë qytetarë nga veriu po pajisen me targa RKS.
Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10.000 makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.