Arritje historike në rrethana të jashtëzakonshme!
27.664 vota! Rezultati më i lartë i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nga viti 2000. Plot 1.227 vota, deri tash, më shumë se në vitin 2020, kur fituam tri mandate parlamentare.
Me bonusin prej 35% në koeficientët zgjedhorë për pakicat kombëtare, ky rezultat përkthehet në ekuivalentin e 37.346 votave për ndarjen e mandateve.
Jemi pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, por e dyta për nga votat ndër listat e pakicave të përfaqësuara në Kuvend. Forca e katërt politike për nga votat ndër listat që fitojnë mandate parlamentare!
Vučići humbi shumicën. Dačići mbeti jashtë Kuvendit. Lista Studentore doli e para.
Por madhështia e këtij rezultati nuk qëndron vetëm te numrat. Qëndron te rrethanat në të cilat është arritur.
Në rrethana të pasivizimit të adresave, mosnjohjes së diplomave, përjashtimit sistematik nga institucionet publike, diskriminimit ekonomik, emigrimit dhe zbrazjes së vendbanimeve shqiptare.
Për më shumë se dy dekada, shqiptarët kanë qenë opozitë e dyfishtë. Opozitë ndaj pushtetit dhe opozitë e vetë shtetit.
E megjithatë, në këto rrethana, shqiptarët shënuan rezultatin më të lartë zgjedhor në më shumë se dy dekada.
Kjo është pesha politike e bashkimit. Dëshmia se, pavarësisht pengesave institucionale dhe demografike, përfaqësimi shqiptar vazhdon të ketë mbështetje qytetare.
Sepse mund të pasivizosh adresën, por nuk mund të pasivizosh vullnetin politik. Mund të mohosh diskriminimin, por nuk mund të fshish 27.664 vota.
Urime të gjithë qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës! Mirënjohje Kryeministrit Albin Kurtit për përbashkimin.
*autori është këshilltar i kryeministrit Albin Kurti
