TË FUNDIT

Ra Vuçiqi me këmbën zhag!

Aleksandar Vuçiqi nuk ishte thjesht një politikan i zakonshëm, por hija e gjallë e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit – një nga pinjollët e fundit të asaj skuadre gjenocidale që la pas vetes gjak, varre e shkatërrim nga Kroacia e Bosnja e deri te gjenocidi shfarosës në Kosovë.

Por historia e ka këtë zakon: aty ku nis e keqja, aty edhe ia thyen dhëmbët. Miti i tij i rremë i “sulltanit të paprekshëm” nisi rënien në kohën e pushtetit të tij absolut, dhe ndër goditjet e para fatale nisi ti marr pikërisht edhe nga Kosova dhe qëndresa e saj institucionale (dyshja Albin Kurti- Vjosa Osmani), në betejat e ashpra “të gjithë kundër një”.

Përmes kësaj përplasjeje historike, Kosova me institucionet e saj bartëse ia shkërmoqi gjithë atë ide fiktive e të rrezikshme të të ashtuquajturit “Open Balkan”, një ide e fshehur hegjemoniste, pas së cilës qorrazi shkonin e besonin shumë politikanë tanë dhe “patriotë” të tjerë të mëdhenj në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë e deri në Banjallukë! Vuçiqi e kuptoi përfundimisht se Kosova nuk ishte më tokë e askujt për shëtitje, provokime dhe defilime fashizoide nëpër Ujman apo në veri, por një shtet sovran që i doli zot vetvetes dhe ia bëri pluhur e hi të gjitha planet hegjemoniste.

Edhe një detaj tjetër! Këtë verë vizitova Shën Naumin dhe pashë ‘bunarin’ – pusin e famshëm të asaj fotoje të “Open Balkanit”. E pyeta një banor të manastirit të Shën Naumit se çfarë të gjen nëse sheh pusin, hedh ndonjë para apo çfarë tradite është, e ai ma ktheu troç e pa doreza: “Nëse hedh para me hile, bunari ta kthen ograjnë mbrapsht e të zë mallkimi!”

E pikërisht mbi ata hekura të ndryshkur të bunarit, në vend të lutjeve të shpëtimit, Aleksandar Vuçiqi e zuri edhe haku i Kosovës dhe mallkimi i gjithë asaj historie të fëlliqur! Sonte, ai dëshpërisht e kuptoi se i erdhi fundi dhe se karriera e tij autokratike shkoi përfundimisht për lesh.

Bashkë me rrëzimin nga froni i tij autokratik, u goditën rëndë e u dogjën në flakët e disfatës edhe të gjithë altoparlantët, shërbëtorët dhe argatët e tij në rajon – ata mercenarë që pushtetin e tij e kishin si levë ndihmëse, logjistikë frymëzimi dhe strehë për realizimin e skenarëve të tyre të mbrapshtë!

Sonte, kur ajo perandori e rreme prej letre u shemb me bujë për tokë, pusi në Ohër mbetet dëshmitar i heshtur i një të vërtete të madhe: çdo diktaturë e kalbur bie me turp e me ndëshkim kur i vjen ora e merituar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *