Në Hajvali për futboll – Drita ia mori ‘frymën’ Prishtinës
Ditë vikendi me mot ideal për futboll. Në Kampionatin Nacional në Hajvali, Prishtina, e pamposhtur deri atëherë, priste Dritën, e cila vinte pas dy fitoreve radhazi.
Plisat kishin zënë vend në tribunën pas portës, ndërsa edhe pjesa perëndimore e stadiumit ishte pothuajse e mbushur.
Dyshja e Prishtinës, Valmir Veliu dhe Mario Ilievski, ende nuk ishte rikuperuar nga lëndimet, duke përbërë mungesa të mëdha për klubin nga kryeqyteti.
Ekipet dolën në fushë mes duartrokitjeve, por ajo që ma tërhoqi vëmendjen në start ishin kapitenët e dy skuadrave. Leotrim Kryeziu te Prishtina, fëmijë i Dritës, i rritur në këtë klub deri në ekipin e parë. Në anën tjetër, kapiteni i Dritës, Besnik Krasniqi, fëmijë i Prishtinës, i rritur në këtë klub dhe madje kapiten në periudha të ndryshme.
Para fillimit të ndeshjes, Plisat kishin përgatitur një pankartë për tifozët e Dritës, që kishte të bënte me drejtorin sportiv të tyre, Valon Zymberi, dhe problemet që ai kishte pasur me tifozët e klubit.
Prishtina e nisi mirë ndeshjen, duke goditur shtyllën që në fillim me Arijanit Fazlijën, por më pas pothuajse nuk kishte asgjë nga loja e saj. Drita dominoi gjithçka: nga duelet te kërcimet, rastet dhe golat. Prishtinës i mbeti vetëm posedimi i topit, ai i parreshtur, nga Artan Iljazi te Zguro, nga Zguro te Iljazi, e ky i fundit pasonte te Poçi. Në anën tjetër, Drita rrezikonte me Igball Jasharin, por edhe atij i mungonte finalizimi, ndërsa në disa raste edhe bashkëpunimi me bashkëlojtarët.
Pa u mbyllur pjesa e parë, Blerim Krasniqi kërceu më lart pas një harkimi nga këndi dhe goditi topin me kokë, duke e dërguar në rrjetë. Drita kaloi në epërsi, ndërsa Prishtina nuk dukej se kishte ndonjë ide të qartë për reagim. Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm. Prishtina tentonte të ndërtonte lojën nga prapa, ndërsa Drita luante shumë më drejtpërdrejt, me pasime të shpejta dhe duke fituar pothuajse çdo top të diskutuar.
Në minutën e 60-të, u lëndua Poçi. Pa marrë trajtim mjekësor, gjyqtari Genc Nuza e dërgoi jashtë fushës për një minutë. Prishtina e humbi topin me Leotrim Kryeziun në mesfushë, ndërsa Jashari pasoi te Liridon Balaj, i cili shënoi një gol të bukur për 2-0. Pas golit, Orges Shehi bëri disa zëvendësime në tentim për t’i dhënë skuadrës diçka më shumë, por Rin Ahmeti dhe Sylian Mokono nuk sollën ndryshimin e kërkuar në ritmin e lojës.
Goditja përfundimtare për Prishtinën erdhi në minutën e 84-t, kur Kemehlo Nguena shënoi një gol të bukur për ta mbyllur çdo dilemë. Ky gol bëri që edhe shkallët e stadiumit të zbrazen. Dhjetë minuta para fundit, disa tifozë të Prishtinës, të cilët kishin ardhur për ta mbështetur skuadrën duke besuar në formën e javëve të fundit, nisën të largoheshin.
Drita pati kohë edhe për t’i shlyer kartonët. Fillimisht, Raddy Ovouka, në minutën e 75-të, reagoi ndaj gjyqtarit pas një zëvendësimi të Dritës, duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Ky ishte kartoni i tij i katërt këtë sezon, që do të thotë se do të mungojë në ndeshjen e ardhshme. Të njëjtën gjë bëri edhe Bleron Sheji pas golit të rezultatit 3-0. Ai u ndal në fushën e Prishtinës dhe priti kartonin nga Nuza, që ishte gjithashtu i katërti për të këtë sezon.
Kartoni i katërt e tundonte edhe Besnik Krasniqin, i cili bëri disa lëvizje të vogla josportive, por Nuza nuk e ndëshkoi, edhe pse kapiteni i Dritës dukej se do ta mirëpriste një karton të tillë. Kështu, Ovouka dhe Sheji do të pushojnë në xhiron e ardhshme. Dhe, me kë e ka Drita ndeshjen? Me Vushtrrinë. Klubin që këtë vikend na ktheu dhjetë vite prapa me problemet e veta, duke mos e zhvilluar ndeshjen me Ballkanin.
Prishtina kishte krijuar një frymë titulli para kësaj ndeshjeje, por Drita ia mori frymën – si në garën për titull, ashtu edhe gjatë ndeshjes, duke mos e lënë të qetë në asnjë pjesë të terrenit.
Të mos i mbetemi borxh Besnik Krasniqit. Edhe pse në moshën 36-vjeçare, ai ishte lojtari më i mirë në fushë. Prishtina shpesh provonte t’i ndryshonte lojtarët e krahut në përpjekje për ta ndalur, por pa sukses. Albert Dabiqaj, Vesel Limaj, Liridon Balaj dhe Blerim Krasniqi patën gjithashtu paraqitje shumë pozitive, ndërsa Nguena tregoi pjekuri të madhe taktike, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.
Kështu u mbyll ndeshja dhe dolëm nga stadiumi me një mikun tonë nga Gjilani, i cili padyshim iu gëzua fitores. Madje, kishte javë që na thoshte se Drita do ta fitonte këtë ndeshje. Nëpër rrugët e ngushta u larguam nga Hajvalia, një stadium që qytetarëve të Prishtinës po u bie shpesh ta vizitojnë, pasi në “Fadil Vokrri” vazhdon të ruhet terreni për ndeshjen me Izraelin, që zhvillohet muajin e ardhshëm.
“Vetëm dy ndeshje këtë sezon i kemi zhvilluar në ‘Fadil Vokrri’”, deklaroi trajneri i Prishtinës, Orges Shehi, duke vënë theksin te nevoja që klubi nga kryeqyteti t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin e vet. Duke njohur kulturën e njerëzve të kryeqytetit, edhe stadiumi në Hajvali u duket larg. Megjithatë, aty sot e panë shkëlqimin e Dritës mbi 1.500 shikues.
Gara tani është e hapur: Malisheva në krye, Prishtina e dyta dhe Drita që po vjen me hapa të mëdhenj.
